SHBA ka shpresa për një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit

20:15 | 22 Gusht 2024
KRG

Shtetet e Bashkuara shprehen optimiste se një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit mund të ndodhë shumë shpejt. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Në fjalën e saj para sallës së Këshillit të Sigurimit, Greenfield u ka kërkuar anëtarëve të bëjnë presion ndaj grupit militant palestinez Hamas për të pranuar propozimin e rënë dakord edhe nga Izraeli.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB tha se një propozim i paraqitur javën e kaluar nga SHBA, Katari dhe Egjipti ishte në përputhje me një plan të përshkruar nga Presidenti Joe Biden në maj dhe miratuar nga Këshilli i Sigurimit në qershor.

“Kemi një rrugë përpara për të shpëtuar jetë, për të sjellë lehtësim për popullin e Gazës, për të kthyer pengjet në shtëpi dhe për të ulur tensionet rajonale. Përsëri, Izraeli ka pranuar propozimin e paqes. Tani, Hamasi duhet të bëjë të njëjtën gjë. Si anëtarë të këtij këshilli, ne duhet të flasim me një zë dhe duhet të përdorim fuqinë tonë për të nxitur Hamasin që të pranojë propozimin e paqes”, Linda Thomas-Greenfield, Ambasadore e SHBA në OKB.

Burime për Reuters bëjnë me dije se mosmarrëveshjet për praninë e ardhshme ushtarake të Izraelit në Gaza dhe për lirimin e të burgosurve palestinezë janë faktorët që po pengojnë marrëveshjen.

Ndërkohë, Izraelit i kanoset një tjetër rrezik, kërcënimi iranian.

“Koha e reagimit të Iranit do të organizohet me përpikmëri për të siguruar që ajo të ndodhë në një kohë befasie maksimale”. Kështu ka deklaruar misioni i përhershëm i Republikës Islamike në Kombet e Bashkuara, në lidhje me sulmin e premtuar nga Irani kundër Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme