Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar vajzat e rritura të presidentit rus, Vladimir Putin, gruan dhe vajzën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe anëtarët e Këshillit rus të Sigurisë, përfshirë ish-presidentin rus, Dmitry Medvedev dhe kryeministrin, Mikhail Mishustin.
Uashingtoni njoftoi për sanksionet e reja më 6 prill, në të cilat shënjestrohen bankat dhe elitat ruse.
Kjo pako e sanksioneve përfshin ndalimin e çdo amerikani të investojë në Rusi, pasi Uashingtoni dhe Kievi akuzuan Moskën për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.
Sanksionet e reja do të bllokojnë tërësisht bankën Sberbank të Rusisë, e cila mban një të tretën e totalit të aktiviteteve bankare të Rusisë, dhe Alfabank, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mërkurën njoftoi gjithashtu veprime të reja për të penguar dhe ndjekur penalisht veprimtarinë kriminale ruse.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kishin paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, një lëvizje që ka për qëllim të rrisë izolimin ekonomik dhe teknologjik të Rusisë si ndëshkim për sulmet e saj ndaj civilëve në Ukrainë.
“Qëllimi është që t’i detyrojmë ata të bëjnë një zgjidhje”, ka thënë më herët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Pjesa kryesore e objektivit tonë është që të shterojmë burimet që ka [presidenti rus, Vladimir] Putin për të vazhduar luftën e tij kundër Ukrainës”, ka shtuar ajo.
Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione në energjinë ruse, siç është nafta dhe gazi, “herët a vonë”.
“Mendoj se masat mbi naftën dhe edhe gazin do të duhet të ndërmerren herët a vonë”, tha Michel para Parlamentit Evropian më 6 prill.
Michel u bëri thirrje ligjvënësve evropian që të shqyrtojnë sanksione të tilla, që do të shënjestronin burimin kyç të të ardhurave të Moskës, pas raportimeve se “krime të luftës” janë kryer nga trupat ruse në qytetin ukrainas, Buça ku “që dëshmon se brutaliteti rus kundër popullit të Ukrainës nuk ka kufi”.
Ndërkaq, Departamenti amerikan i Thesarit më 5 prill ndërmori masa të reja, duke ia vështirësuar Rusisë që të plotësojë obligimet e saj financiare, pasi ndaloi çdo pagesë të borxhit të Qeverisë ruse me dollarë amerikanë nga llogaritë në institucionet financiare në SHBA.
Britania ka njoftuar se deri më tani ka ngrirë rreth 350 miliardë dollarë asete nga “arka e luftës” së Putinit. Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se kjo i bën të padisponueshme më shumë se 60 për qind të rezervave valutore të Rusisë në vlerë prej 604 miliardë dollarësh.
Bashkimi Evropian tha se pakoja e pestë e masave që ka paralajmëruar do të shënjestrojë eksportet e naftës dhe qymyrit rus dhe do të ndalojë anijet ruse që të ankorohen në portet evropiane.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 5 prill paraqiti një listë të sanksioneve, ku përfshiheshin ndalesa e importeve të qymyrit rus, që kap vlerën vjetore të 4 miliardë eurove, ndalesën e plotë për katër banka ruse, ndalesën që anijet ruse të hyjnë në portet evropiane, ndalesë në eksportet e teknologjisë dhe maknierisë, por edhe importet ruse të alkoolit, të ushqimit të detit dhe importeve të drurit. Ajo tha se do të ketë kufizime ndaj kompanive ruse që konkurrojnë për kontrata në mbarë BE-në.
Këto veprime vijnë teksa akuzat për mizori të kryera nga forcat ruse vazhdojnë të shtohen. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 prill se trupat ruse kanë kryer disa prej krimeve më të këqija të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai i bëri thirrje këtij këshilli që të mbajë përgjegjëse Rusinë për këto veprime.
Shumica e fokusit ka qenë në Buça, një qytet në afërsi të Kievit ku forcat ruse kishin qenë të pozicionuara para se të tërhiqeshin javën e kaluar. Banorët kanë thënë se kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve brutale dhe torturave dhe po ashtu kanë dalë të dhëna për varreza masive dhe shënjestrim të civilëve.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzia, tha se kur Buça ishte nën kontrollin rus “asnjë banor lokal nuk ka vuajtur nga ndonjë veprim i dhunshëm”. Duke ripërsëritur qëndrimet e Kremlinit, ai tha se videot ku shihen trupat e pajetë të shtrirë në rrugët e këtij qyteti ishin “të falsifikuara” dhe të inskenuara nga ukrainasit.
“Ju patë vetëm atë që ata ju treguan”, tha ai. “Të vetmit që bien pre e këtyre mashtrimeve janë diletantët perëndimorë”, shtoi ai.
Zelensky tha se ngjarjet në Buça do t’i bëjnë sfiduese bisedimet e paqes me Rusinë.
Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, sipas Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, janë vrarë 1,480 civilë dhe 2,195 të tjerë janë plagosur.
OKB-ja megjithatë tha se numri real i viktimave dhe i të lënduarve mund të jetë më i lartë pasi informacionet nga zonat e luftës nuk vijnë me kohë dhe shumë raportime duhet të konfirmohen.
Drenusha plas në vaj, përmend traumat e djalit për shkak të ...
Hovenier uron Kosovën për fitoren ndaj Lituanisë
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...
Raportohet se Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Katër ushqime mund të ulin kolesterolin e lartë, pohon një n...