Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të sanksionuar të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).
Njoftimi për sanksione vjen në ditën kur Millorad Dodik e uroi presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për t’i vënë në pah përpjekjet e Dodikut dhe familjes së tij për t’i ruajtur rrjetet e tyre të korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Sanksionet e reja përfshijnë Vladimir Perishiq dhe kompaninë “Elpring doo Laktaši”.
OFAC tha se Dodiku për vite të tëra e ka përdorur pozitën e tij zyrtare për të mbledhur pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me të birin, Igor.
“Ky korrupsion ka kontribuar në minimin e besimit të publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës dhe në sundim të ligjit”, tha OFAC.
“Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij, dhe mundësuesit e tij, vazhdojnë t’i përdorin pozitat e tyre të privilegjuara, për ta çrrënjosur besimin e publikut në kornizat rajonale të paqes dhe në institucione që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.
Pas sanksionimit të kompanisë “Kaldera” më 18 qershor 2024, Igor Dodik urdhëroi Millenko Qiçiq, i cili më parë ishte në listën e të sanksionuarve, ta themelonte firmën “Elpring doo Laktaši”, e cila do të shërbente si zëvendësim për “Kaldera”.
Me miratimin e Igorit, Qiçiq e themeloi firmën “Elpring” dhe koordinoi transferimin e të gjitha aseteve dhe operacioneve të kompanisë “Kaldera”, duke përfshirë punonjësit e saj.
Më 18 qershor, pesë kompani të lidhura me familjen e Dodikut u përfshinë në listën e zezë të SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara e vendosën Millorad Dodikun në listën e sanksioneve më 5 janar 2022, sepse ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, mori pjesë në shkeljen, ose pengimin, apo kërcënonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe për aktivitete korruptive.
Dodik ishte sanksionuar më parë më 17 korrik 2017, për pengim ose kërcënim për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit./rel
Amerikanët prezantojnë një bateri për automjetet elektrike m...
Mustafa: Përfshirja më e madhe e Amerikës në Kosovë na sjell...
Trumpit i rritet pasuria për një miliard dollarë
Dy vetaksidente në autostrada, dy shoferë në gjendje të rënd...
Egjipti i bashkohet thirrjes së Turqisë drejtuar OKB-së për ...
Liverpooli i vetmi pa humbje pas katër raundesh në Champions...