SHBA-ja sanksionon iranianë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale

00:43 | 19 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Shtetet e Bashkuara thanë se kanë sanksionuar gjashtë individë iranianë dhe një entitet për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, dhe ka ngritur akuza ndaj dy persona për ndërhyrje në zgjedhje.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi për sanksionet përmes një deklarate më 18 nëntor duke thënë se ka identifikuar “përpjekje për ndërhyrje kibernetike nga akterë të sponsorizuar nga shteti, përfshirë edhe akterë iranianë që kanë tentuar të mbjellin përçarje dhe të minojë besimin e votuesve në zgjedhjet presidenciale amerikane”.

Sanksionet erdhën pas përpjekjeve të Thesarit, Departamentit amerikan të Shtetit dhe Byrosë për Hetime Federale (FBI), u tha në deklaratë.

Dyshimet për ndërhyrje në zgjedhje fillimisht u shfaqën disa javë para votimit, kur zyrtarët policorë dhe ata të inteligjencës dyshuan se Rusia dhe Irani po tentonin që të ndërhynin në zgjedhje dhe kishin pasur qasje në disa të dhëne të regjistrin të votuesve.

Në deklaratën e lëshuar më 18 nëntor thuhet se tre muaj para votimeve, aktorët kibernetikë të sponsorizuar nga shteti, që kishin pasur qasje në regjistrin e votuesve nga ueb-faqet zyrtare amerikane të votuesve, ishin përgjegjës për një operacion online për të “frikësuar dhe për të ndikuar te votuesit amerikanë dhe për të minuar besimin e votuesve duke ndjellë mosbesim në lidhje me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020”.

Ata kishin shpërndarë informacione në rrjetet sociale dhe kishin dërguar emaile kërcënuese si dhe video të rreme “në përpjekje për të minuar besimin në zgjedhje duke nënkuptuar se individët mund të hidhnin vota mashtruese”.

Thesari tha se ka sanksionuar kompaninë kibernetike Emennet Pasagrad për rolin udhëheqës në përpjekjet për të ndikuar në procesin zgjedhor. Kjo kompani ishte sanksionuar edhe në vitin 2019, por atëherë kjo kompani kishte emër tjetër.

Në listën e sanksioneve është edhe menaxheri i Emennet, Mohammad Bagher Shirinkar dhe punonjësit e kësaj kompanie, Seyyed Mohammad Hosein Musa Kazemi dhe Sajjad Kashian, që “kanë kryer operacionet kibernetike si pjesë e fushatës për ndikim në zgjedhje”.

Tri anëtarë të bordit të Emennet – Mostafa Sarmadi, Seyyed Mehdi Hashemi Toghroljerdi dhe Hosein Akbari Nodeh gjithashtu janë sanksionuar.

Pronat e personave të sanksionuar janë bllokuar sipas juridiksionit amerikan dhe personave amerikanë u është ndaluar të kryejnë transaksione me ta, në të kundërtën mund të bëhen subjekt i sanksioneve.

Të sanksionuar janë edhe dy persona, Seyyed Mohammad Hosein Musa Kazemi, 24 dhe Sajjad Kashian, 27 vjeç, që gjithashtu akuzohen nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për marrjen në pronësi të informacioneve konfidenciale të votuesve./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme