SHBA-ja sanksionon agjentët rus që tentuan të ndikojnë në zgjedhjet amerikane

07:09 | 24 Qershor 2023
K.B

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë vendosur sanksione ndaj dy agjentëve të inteligjencës ruse që u përpoqën të ndikonin në zgjedhjet lokale në SHBA, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Dy oficerë të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), të akuzuar së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, luajtën një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Kremlinit për të kryer “operacione globale të ndikimit malinj”, sipas një deklarate të botuar më 23 qershor, raporton Radio Evropa e Lirë.

Dy oficerët, Yegor Popov dhe Alexey Sukhodolov, u akuzuan nga Departamenti i Drejtësisë në prill, me pretendimin se ata punuan për të minuar proceset demokratike në SHBA dhe vende të tjera, nëpërmjet një rrjeti bashkëpunëtorësh.

SHBA-ja akuzon Kremlinin për përdorimin e rrjeteve të tilla shfrytëzimin e ndarjeve sociale, për të minuar besimin në proceset demokratike dhe për të inkurajuar pikëpamjet politike anti-amerikane dhe antidemokratike.

Si pjesë e përpjekjeve të tij, Kremlini shpesh përdor mediat sociale si një mjet për të përhapur dezinformata, për të ngatërruar dhe mashtruar qytetarët globalisht, përfshirë qytetarët amerikanë, në mënyrë që të arrijë qëllimet operacionale dhe gjeopolitike të Rusisë.

Departamenti pretendon se Popov dhe Sukhodolov kanë punuar me Alexandr Ionov, shtetas rus i akuzuar për kryerjen e aktiviteteve shumëvjeçare për të përdorur grupe politike në Florida, Gjeorgji dhe Kaliforni, për të ndërhyrë në zgjedhje.

Ionov u akuzua së bashku me Natalya Burlinovën dhe organizatat e tyre përfunduan në listën e sanksioneve të OFAC, e cila mbahet nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, sepse ato vepronin në emër të autoriteteve ruse.

Departamenti amerikan i Thesarit ka akuzuar Rusinë për rekrutimin e njerëzve dhe grupeve në mbarë botën, të cilët janë të pozicionuar mirë për përhapjen e dezinformatave dhe për të destabilizuar më me sukses shoqëritë demokratike.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë kërcënime ndaj demokracisë sonë dhe veprimi i sotëm është pjesë e një përpjekjeje e të gjithë qeverisë, për të mbrojtur sistemin tonë të qeverisjes përfaqësuese”, tha Brian Nelson, nënsekretari i Departamentit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare.

Departamenti nuk theksoi se për cilat zgjedhje specifike bëhej fjalë, në të cilat rusët dyshohet se u përpoqën të ndikonin.

Sanksionet nënkuptojnë ngrirjen e të gjitha aseteve në SHBA, të cilat i zotërojnë individët, si dhe ndalimin e të bërit biznes me ta për të gjithë personat që gjenden në SHBA./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme