Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka rikthyer të mërkurën grupin e rebelëve Huthi, me bazë në Jemen, në listën e grupeve terroriste, kanë thënë zyrtarët amerikanë.
Vendimi është marrë teksa Uashingtoni tenton të parandalojë sulmet e grupit në anijet ndërkombëtare.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se rikthimi në listën e grupeve terroriste, e godet grupin e lidhur me Iranin, me sanksione të ashpra, dhe synon të ndërpresë të gjitha fondet dhe armët që mund t’i shfrytëzojnë rebelët e Huthit për të sulmuar anijet në Detin e Kuq.
Sulmet e rebelëve të Huthit e kanë dëmtuar tregtinë globale, kanë rritur shqetësimet për inflacion dhe kanë thelluar frikën për përhapje të luftës Izrael-Hamas, që mund të destabilizojë edhe më shumë Lindjen e Mesme.
“Këto sulme e përmbushin definicionin e terrorizmit”, ka thënë njëri prej tre zyrtarëve amerikanë që kanë bërë të ditur lajmin.
Ky vendim është marrë pasi aeroplanët luftarakë amerikanë dhe britanikë, anijet dhe nëndetëset e këtyre vendeve, kanë nisur dhjetëra sulme ajrore kundër rebelëve të Huthit, të cilët kontrollojnë disa pjesë të mira të Jemenit.
Ushtria amerikane ka kryer të martën sulme shtesë kundër disa anijeve të rebelëve të Huthit, me të cilat ata kanë lëshuar raketa balistike.
Lëvizja e rebelëve, Huthi, ka deklaruar se sulmet janë shenjë solidarizimi me palestinezët që po përballen me sulmet e Izraelit në Gazë.
Sulmet janë pjesë e një përgjigjeje më të gjerë për konfliktin në Gazë nga i ashtuquajturi Boshti i Rezistencës, i cili përfshin rebelët e Huthit; Hamasin; grupin me bazë në Liban, Hezbollahun; dhe milicitë shiite të Irakut, të gjitha të lidhura me Iranin.
Hamasi, grup që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit, pas sulmit të grupit në tokën e tij, më 7 tetor 2023, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.
Si pasojë e sulmeve të Izraelit në Gazë besohet se kanë vdekur të paktën 22.000 palestinezë dhe një pjesë e mirë e Gazës është kthyer në gërmadhë./rel
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe
Shifrat e INSTAT: Mbi 761 mijë turistë të huaj në tetor
Kurti merr pjesë në vendosjen e gurthemelit të Stadiumit të ...