SHBA-ja po heton video-incizimin e Baghdadit

13:23 | 30 Prill 2019
Arbresh.info

Udhëheqësi i grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) është paraqitur në një video për herë të parë pas pesë vjetësh, kur e ka bërë paraqitjen e fundit.

Abu Bakr al-Baghdadi paraqitet në videon e transmetuar nga krahu mediatik i IS-it, Al-Furqan, me mjekër të çrregullt dhe ulur në dysheme pranë një muri. Ai ka të veshur një mantel të zi me një jelek të lehtë dhe mbi të dhe ka një mitraloz pranë krahut të djathtë.

Tre persona të maskuar e dëgjojnë derisa ai flet.

Baghdadi duke folur ngadalë dhe me ndërprerje tha se grupi IS do të hakmerret për vrasjen dhe burgosjen e pjesëtarëve të tij.

Ai tha se operacionet e grupit kundër Perëndimit kanë qenë një “betejë e gjatë”.

Nuk është ende e qartë ku është incizuar videoja 18 minutëshe, përderisa forcat irakiane dhe ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuar janë duke u përpjekur për ta zënë udhëheqësin e grupit ekstremist, shkruan rel.

Reagimet nga SHBA-ja

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se incizimi është duke u hetuar për të përcaktuar autenticitetin. Ky zëdhënës tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është i përkushtuar që “liderët e mbetur të IS-it t’i dorëzohen drejtësisë dhe të marrin atë që meritojnë”.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA)ende nuk ka bërë komente lidhur me këtë rast.

Ndërkaq zëdhënësi e Pentagonit, Sean Robertson tha se “SHBA-ja po vazhdon mbështetjen ndaj partnerëve në misionin e tyre për të siguruar mposhtjen e IS-it”.

Paraqitja e fundit e Baghdadit ka qenë në vitin 2014 nga xhamia Al-Nuri në Mosul të Irakut.

Në këtë fjalim ai deklaroi themelimin e “kalifatit islamik”.

Por, çfarë ndodhi më pas?

Grupi ekstremist Shteti Islamik ka kontrolluar rreth 88.000 metra katrorë në një sipërfaqe që shtrihet në kufirin ndërmjet Irakut dhe Sirisë.

Por, në vitin 2016 ata filluan tërheqjen. Një vit më pas e humbën Mosulin në Irak, pikërisht vendin ku e shpallën “kalifatin” duke detyruar Baghdadin dhe përcjellësit e tij të tërhiqen.

Në muajin tetor ata u dëbuan edhe nga qyteti Raka i Sirisë.

Grupi ekstremist vazhdoi të humbasë territor përgjatë vitit 2018-të.

Në mars të vitit 2019, Forcat Demokratike siriane të udhëhequra nga kurdët, deklaruan se kanë marrë nën kontroll qytetin Baghuz, territorin e fundit që mbahej nga grupi militant.

Me këtë rast u shpall edhe mposhtja e grupit militant.

Data e paraqitur në video është e muajit prill, por autenticiteti i saj nuk mund të verifikohet.

Baghdadi në këtë video flet edhe për sulmet në Shri Lankë që vranë më shumë se 250 njerëz, duke thënë se këto sulme u ndërmorën si hakmarrje e rënies së Baghuzit.

Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik ishte shpallur i plagosur dhe i vrarë disa herë gjatë viteve të fundit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme