Shtëpia e Bardhë të enjten i ka hedhur poshtë përsëri pretendimet e Rusisë se Ukraina ishte përfshirë në sulmin vdekjeprurës në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës më 22 mars.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara i dhanë informata të hollësishme shërbimeve ruse të sigurisë për një sulm ekstremist në Moskë para se ai të ndodhte.
Ai i cilësoi akuzat e Rusisë se Ukraina është gjoja e përfshirë si “të pakuptimta dhe propagandë”.
Më herët të enjten, Komisioni Hetues i Rusisë tha se ka zbuluar prova se katër kryerësit e sulmit të 22 marsit, ku u vranë më shumë se 140 njerëz, kishin lidhje me Ukrainën.
Por, Kirby tha se është “tejet e qartë” se Shteti Islamik “është i vetmi përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Moskë javën e kaluar”, duke e përsëritur qëndrimin amerikan, të cilin e mban edhe Franca.
“Në fakt, Shtetet e Bashkuara tentuan të ndihmojnë në parandalimin e këtij sulmit terrorist dhe Kremlini e di këtë”, tha Kirby.
Mesazhi i shkruar iu dërgua shërbimeve ruse të sigurisë më 7 mars në orën 11:15 dhe ishte njëri prej paralajmërimeve të shumta paraprake që Shtetet e Bashkuara ua bënë autoriteteve ruse për mundësinë e sulmeve ekstremiste në koncerte dhe në tubime të mëdha në Moskë, tha Kirby.
Shteti Islamik ka thënë disa herë se është përgjegjës për sulmin dhe kanalet mediatike të lidhura me të kanë publikuar video grafike të kryerësve të sulmit brenda koncertit.
Me gjithë informatat e ofruara nga Shtetet e Bashkuara dhe përgjegjësinë që e mori Shteti Islamik, presidenti rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë ngulur këmbë në përpjekje për ta fajësuar Ukrainën.
“Si pasojë e punës me terroristët e arrestuar, vlerësimit të mjeteve teknike të konfiskuara nga ata dhe analizimit të transaksioneve financiare, është siguruar dëshmi se ata kanë lidhje me nacionalistë ukrainas”, tha Komisioni Hetues i Rusisë më 28 mars./Radio Evropa e Lirë/
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...