Google ADS

SHBA-ja ofron mbështetje të plotë për presidentin e rrëzuar të Nigerit

11:00 | 29 Korrik 2023
K.B

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar mbështetje të plotë presidentit të rrëzuar të Nigerit, Mohamed Bazoum.

Bazoum është larguar nga pushteti përmes një puçi këtë javë, të udhëhequr nga gjenerali Abdourahmane Tchiani, i njohur edhe si Omar Tchiani – shef i gardës presidenciale.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka paralajmëruar ata që e kanë ndaluar Bazoumin se janë duke rrezikuar “ndihmë në vlerë të qindra miliona dollarëve”.

Gjenerali Tchiani e ka shpallur veten udhëheqës të ri të shtetit.

Bazoumi ka qenë lideri i parë i zgjedhur i Nigerit që e ka pasuar një lider tjetër, prej pavarësisë së shtetit më 1960.

Ai është konsideruar aleat kyç nga kombet perëndimore në luftën kundër militantëve islamistë në rajon.

Aktualisht, ai besohet se gëzon shëndet të mirë, por edhe duke u mbajtur rob nga garda e tij.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Bazoumit, dhe i ka dënuar “përpjekjet për ndryshimin e Qeverisë së Nigerit përmes rrugëve jokushtetuese”.

Franca, e cila e ka pasur dikur Nigerin si koloni, ka thënë se nuk i njeh liderët pas puçit dhe do ta njohë vetëm Bazoumin si udhëheqës të shtetit.

Gjenerali Tchiani, 62-vjeçar, e ka udhëhequr gardën presidenciale prej vitit 2011, dhe është avancuar në pozitë si gjeneral më 2018 nga ish-presidenti i Nigerit, Mahamadou Issoufou.

Emri i tij është lidhur edhe më një puç të vitit 2015 kundër ish-presidentit, mirëpo në gjykatë i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Ai ka thënë së fundi se junta e ka marrë vendimin për rrëzim të presidentit për shkak të shumë problemeve në Niger, përfshirë pasigurinë, kundërshtarët ekonomikë dhe korrupsionin.

Ai u është adresuar edhe aleatëve globalë të Nigerit, duke thënë se junta do t’i respektojë të gjitha zotimet ndërkombëtare të shtetit, ashtu sikurse të drejtat e njeriut./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme