Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë të martën se qëndrojnë të palëkundur krah angazhimeve të Lituanisë dhe NATO-s për ta mbrojtur shtetin baltik pasi Rusia paralajmëroi fqinjin e saj mbi bllokimin e transitit hekurudhor.
“Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s dhe qëndrojmë pranë Lituanisë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Ned Price.
“Më specifikisht ndaj angazhimit tonë të nenit pesë të NATO-s — premisa se një sulm ndaj njërit shtet anëtar do të përbënte një sulm ndaj të gjithëve — ky angazhim nga ana e Shteteve të Bashkuara është i hekurt,” tha ai.
Lituania, një ish-republikë sovjetike, anëtare si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian, ka qenë ndër vendet më të zëshme në kundërshtimin e pushtimit rus të Ukrainës.
Lituania tha se do të kufizonte transitin hekurudhor të mallrave që bëjnë pjesë në listën e sanksioneve nga BE-ja në Kaliningrad, një enklavë e izoluar ruse në Detin Baltik, e cila ndodhet midis Lituanisë dhe Polonisë.
Rusia paralajmëroi se “me siguri do t’i përgjigjet” “veprimeve armiqësore”.
Price tha se Shtetet e Bashkuara mirëpritën “masat e paprecedentë ekonomike” të marra nga Lituania dhe vendet e tjera kundër Rusisë për pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës.
I pyetur në lidhje me deklaratat e Rusisë, Price tha: “Ne nuk do të spekulojmë për sulmet ruse ose kërcënimet ruse dhe as nuk duam t’i japim kohë diskutimi kësaj teme.”/rel
Dita e ndeshjes, Kosova pret në ‘Fadil Vokrri’ Lituaninë
Sot seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë shqyrton projektbux...
Kryeministri rumun i reagon Kurtit për ndeshjen Rumani–Kosov...
Reagon legjenda e Hungarisë pas skenave rrëqethëse ku mbeti ...
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”