Bombarduesit amerikanë me rreze të gjata veprimi kryen stërvitje të përbashkëta me avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut të mërkurën, në shenjë force kundër Koresë së Veriut, e cila e kreu testin e parë të raketës balistike interkontinentale pas pesë muajve.
Stërvitja tripalëshe në ishullin pranë Koresë së Jugut, Jeju, kishte për qëllim përforcimin e përgjigjes së përbashkët të këtyre vendeve ndaj kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut, tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut në një komunikatë.
Në stërvitje u përfshinë bombarduesit amerikanë B-1B, si dhe avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut, sipas komunikatës. Kjo ishte hera e 13-të që bombarduesi amerikan fluturon përkohësisht pranë dhe mbi Gadishullin Korean.
Bombarduesi B-1B është në gjendje të bartë ngarkesë të madhe të armëve konvencionale. Në të kaluarën, Koreja e Veriut e ka cilësuar fluturimin e bombarduesit amerikan mbi Gadishullin Korean si dëshmi e armiqësive amerikane dhe është përgjigjur duke kryer testime raketore.
Të hënën, Koreja e Veriut e lëshoi në det raketën Hwason-18 ICBM gjatë një stërvitjeje që kishte për qëllim t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për hapa konfrontues. Si arsye për këtë, Koreja e Veriut e përmendi një takim të vonshëm mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për të biseduar për frenimin e planeve të saj bërthamore.
SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia e kanë kritikuar testimin raketor të Koresë së Veriut duke e cilësuar si provokim dhe duke thënë se i ka shkelur shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilat ia ndalojnë Veriut aktivitetet balistike.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se testimi i raketës balistike dëshmoi se Koreja e Veriut mund të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara do ta marrin “një vendim të gabuar kundër saj”.
Por, shumë ekspertë të huaj thonë se Koreja e Veriut ende përballet me pengesa teknologjike për të zotëruar raketa balistike interkontinentale me kokë bërthamore me të cilat do të mundë ta godiste SHBA-në./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...