Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në ndonjë kundërofensivë kundër Iranit, pas sulmit masiv të Teheranit me dronë dhe raketa në territorin izraelit, kanë thënë zyrtarët.
Kërcënimi i një lufte të hapur në mes të rivalëve të përbetuar në Lindje të Mesme, dhe përfshirja e SHBA-së në të, e ka rritur presionin në shumë rajone të botës, prandaj janë shtuar thirrjet për vetëpërmbajtje dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.
SHBA-ja do të vazhdojë t’i ndihmojë Izraelit të mbrojë veten, por nuk dëshiron luftë, ka thënë John Kirby, zëdhënës për Siguri Kombëtare të SHBA-së, në disa komente për transmetuesin ABC.
Mbreti i Jordanisë, Abdullah i ka thënë Bidenit, përmes telefonit, se çdo përshkallëzim prej Izraelit do ta zgjeronte konfliktin në rajon, ka raportuar media shtetërore e Jordanisë.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë pesë anëtarët e kabinetit të luftës në Izrael kërkojnë hakmarrje, ndonëse paneli është i ndarë për kohën dhe shkallën e një përgjigjeje eventuale.
Irani e ka sulmuar Izraelin, si shenjë hakmarrjeje për një sulm në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill, si pasojë e së cilit janë vrarë figura ushtarake kyçe.
Izraeli as nuk e ka pohuar dhe as mohuar kryerjen e sulmit.
Megjithatë, sulmi me më shumë se 300 raketa dhe dronë, të nisur kryesisht prej Iranit, ka shkaktuar dëme modeste në Izrael, pasi pajisjet iraniane janë rrëzuar prej mbrojtjes ajrore izraelite, si dhe me ndihmën e SHBA-së, Britanisë, Francës dhe Jordanisë.
Dy zyrtarë të lartë izraelitë kanë dhënë sinjale të dielën se hakmarrja prej anës së Izraelit nuk do të ndodhë shpejt dhe se vendi nuk do të veprojë vetëm.
Rrëzimi i dronëve dhe raketave iraniane ka kushtuar 1.2 miliard dollarë, sipas mediumeve izraelite, disa prej të cilave kanë raportuar se një pjesë e shpenzimeve është mbuluar prej SHBA-së.
Shefi i stafit të ushtrisë iraniane, gjenerali Mohammad Bagheri, ka thënë se “përgjigjja jonë do të jetë edhe më e madhe, nëse Izraeli hakmerret kundër Iranit”, dhe i ka thënë Uashingtonit që bazat e tij mund të sulmohen, po ashtu, nëse i ndihmojnë Izraelit në hakmarrje.
Ministri i Jashtëm Iranian, Hossein Amirabdollahian, ka thënë se Teherani e ka njoftuar SHBA-në se sulmi do të jetë i kufizuar dhe për qëllime të vetëmbrojtjes, dhe se i ka lajmëruar vendet e rajonit për sulmin 72 orë më herët.
Një burim diplomatik turk ka thënë se Irani e ka njoftuar Turqinë paraprakisht.
SHBA-ja ka thënë se nuk është lajmëruar paraprakisht, por që ka komunikuar me zyrtarë iranianë para sulmit përmes ndërmjetësve zviceranë.
Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) e kanë dënuar sulmin e Iranit dhe kanë thënë se do të punojnë për stabilizim të situatës, duke paralajmëruar se Teherani rrezikon “një përshkallëzim rajonal të pakontrollueshëm”./rel
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...