Shtetet e Bashkuara e shpallën gazetarin Evan Gershkovich si “të arrestuar gabimisht” nga Rusia dhe bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Gershkovich, gazetar me përvojë në Rusi, u arrestua muajin e kaluar në qytetin e Jekaterinburgut, derisa punonte për gazetën Wall Street Journal (WSJ).
Ai u akuzua formalisht për spiunazh, edhe pse WSJ i mohoi akuzat.
Është hera e parë që nga koha sovjetike që Moska akuzon një gazetar amerikan për spiunazh.
Emërtimi “i arrestuar gabimisht” në SHBA do të thotë se rasti duhet të transferohet në zyrën e të dërguarit të posaçëm për çështjet e pengjeve. Kjo, po ashtu, do ta rrisë profilin e rastit dhe do t’i lejojë Qeverisë amerikane të ndajë më shumë burime për të siguruar lirimin e tij.
Emërtimi u bë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të gazetarit, tha zëdhënësi i tij, Vedant Patel.
“Gazetaria nuk është krim. Ne e dënojmë shtypjen e vazhdueshme të Kremlinit ndaj zërave të pavarur në Rusi dhe luftën e tij të vazhdueshme kundër së vërtetës”, tha Patel.
Ai, po ashtu, tha se Rusia nuk u ka lejuar zyrtarëve konsullorë amerikanë qasje te Gershkovichi – gjë që është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Gazeta WSJ tha se po bën “gjithçka në fuqinë e saj për të mbështetur gazetarin dhe familjen e tij”.
Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi (FSB) tha më 30 mars se ka hapur rast spiunazhi kundër Gershkovichit, për shkak të mbledhjes së sekreteve shtetërore në lidhje me kompleksin industrial ushtarak të Rusisë.
FSB-ja pretendoi se Gershkovich po vepronte në bazë të udhëzimeve nga Shtetet e Bashkuara.
Gjykata në Moskë ra dakord me kërkesën e FSB-së për ta mbajtur Gershkovichin nën arrest për dy muaj./rel
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit