SHBA-ja do të ndërtojë port të përkohshëm në Gazë për furnizim me ndihma

20:17 | 7 Mars 2024
E.H

Fëmijët e zhvendosur palestinezë mblidhen për të marrë ushqim në një shkollë në Rafah, në jug të Gazës, 19 shkurt 2024.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të njoftojë të premten se ushtria amerikane do ta ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh më ndihma në këtë territor përmes detit, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë.

Porti i përkohshëm do ta rrisë sasinë e ndihmave humanitare për palestinezët duke mundësuar dërgimin e “qindra kamionëve shtesë” brenda ditës, thanë zyrtarët.

Megjithatë, kjo nuk përfshin praninë e trupave amerikane në terren në Gazë, sipas tyre.

Do të nevojiten disa javë për ta ndërtuar portin, i cili do të jenë në gjendje të pranojë anije të mëdha që bartin ushqim, ujë, barna dhe shatorre të përkohshme.

Dërgesat e para do të mbërrijnë nga Qiproja, ku Izraeli do të kryejë inspektime të sigurisë.

Presidenti Biden pritet të njoftojë për këtë gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit amerikan të premten herët në mëngjes.

Vendimi i SHBA-së vjen pasi kriza humanitare është përkeqësuar në Rripin e Gazës, ku njerëzit përballen me mungesë të madhe ushqimi për mbijetesë.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një çerek i popullsisë së Gazës është buzë urisë absolute.

Shpresat për të arritur armëpushim para muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili nis javën e ardhshme, u zbehën të enjten, kur Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – tha se delegacioni i tij u largua nga Kajro, ku po mbaheshin bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje.

Pjesë e marrëveshjes së armëpushimit do të kishte qenë edhe dërgimi i madh i ndihmave në Gazë.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.

Gjendja në veri të Gazës është më e rëndë. Autoritetet shëndetësore në Gazë thanë gjatë kësaj jave se 15 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja apo dehidrimi vetëm në një spital.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje tashmë shumë herë Izraelit të bëjë më shumë për ta lehtësuar katastrofën humanitare në Gazë, ku më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, e nxitur nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë nga pjesëtarët e grupit radikal palestinez./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme