Shtetet e Bashkuara dhe Britania njoftuan më 27 shkurt për sanksione të reja kundër një zëvendëskomandanti të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe një anëtari të grupit rebel Huthi.
Rebelët Huthi kanë kryer së paku 57 sulme ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit prej 19 nëntorit, ndërsa e kanë shtuar ritmin në ditët e fundit.
SHBA-ja dhe Britania janë përgjigjur me sulme ndaj Huthëve, dhe që atëherë rebelët kanë thënë se interesat amerikane dhe britanike do të konsiderohen caqe legjitime.
Sulmet në Detin e Kuq, një rrugë vitale ku kalon afër 12 për qind e tregtisë globale, kanë detyruar shumë kompani të ndryshojnë rrugën e transportit të mallrave.
Derisa Huthët “kërcënojnë vazhdimisht sigurinë e tregtisë paqësore ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojnë të ndërpresin rrjedhat e financimit që mundësojnë këto aktivitete destabilizuese”, tha nënsekretari i Thesarit të SHBA-së, Brian Nelson.
“Mbretëria e Bashkuar sanksionon gjithashtu një ministër sigurie të Huthëve për kërcënimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Jemenit duke mbështetur sulmet kundër anijeve në Detin e Kuq”, thanë autoritetet britanike në një deklaratë.
Në mesin e të sanksionuarve është Mohammad Reza Falahzadeh, zëvendës komandanti i Forcës Quds të IRGC-së.
Anëtari i Huthëve, Ibrahim al-Nashiri u sanksionua gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e përpjekjeve militante të grupit.
Thesari i SHBA-së theksoi se Forcat Quds dhe Huthët “angazhohen në shitjen e mallrave iraniane te blerësit e huaj për të gjeneruar të ardhura” për financimin e operacioneve të grupit rebel Huthi.
Thesari njoftoi gjithashtu sanksione kundër pronarit dhe operatorit të një anijeje të përdorur për të transportuar mallra iraniane, me bazë në Hong Kong.
“Të ardhurat e krijuara përmes këtyre rrjeteve të paligjshme mundësojnë përpjekjet militante të Huthëve”, tha Thesari i SHBA-së.
Militantët e Huthëve prej Jemenit, janë duke sulmuar anijet në rajon, si shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës./REL/
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh