Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë njoftuar për sanksione të reja ndaj figurave të Xhihadit Islamik Palestinez dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Ky është vendimi i tyre i fundit i koordinuar sa i përket ngrirjes së aseteve dhe vendosjes së ndalesave për udhëtim, që kanë më shënjestër luftëtarët e grupeve rajonale.
Pesë “figura kyçe” dhe një entitet, që thuhet se janë të përfshirë në udhëheqjen dhe financimin e rrjeteve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, janë sanksionuar, tha Qeveria britanike.
Masat “do të ndihmojnë në ndërprerjen e fondeve që mbështesin këto grupe terroriste, përfshirë nga Irani”, u tha në njoftim.
Shtetet perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Hamasit dhe aleatëve të tij që kur ky grup palestinez kreu sulmin e paprecedent ndaj Izraelit më 7 tetor.
Luftëtarët e Hamasit vranë 1.200 persona, shumica civilë, dhe morën afër 250 pengje. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
“Këto sanksione dërgojnë mesazh të qartë te Hamasi se Britania dhe partnerët tanë janë të përkushtuar që të sigurohemi që nuk do të ketë vende për t’u fshehur këto aktivitete financuese për terroristët”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, përmes një deklarate.
Britania dhe SHBA-ja kanë njoftuar për disa runde sanksionesh të koordinuara që nga fundi i vitit të kaluar. Sanksionet kanë shënjestruar Hamasin dhe Iranin, që mbështet këtë grup radikal palestinez.
Në mesin e të sanksionuarve është edhe Zuheir Shamlakh, që sipas Londrës, që nga viti 2019, ai ka reputacionin si “këmbyesi kryesor i parave” për Hamasin.
Sipas Britanisë, ai është figura kyçe që ka zhvendosur operacionet e grupit në kriptovaluta dhe kishte shfrytëzuar monedhat digjitale dhe sistemet jozyrtare të transferimit të parave “për të dërguar shuma të mëdha parash nga Irani te Hamasi”, para 7 tetorit, tha Londra.
Po ashtu është sanksionuar Ahmed Sharif Abdallah Odeh që dyshohet se është operatori kyç i rrjetit financiar të Hamasit dhe Ismail Barhoum, anëtar i byrosë politike në Gaza.
Hassan Al-Wardian, që thuhet se është lider i Hamasit në Bregun e pushtuar Perëndimor, dhe Jamil Yusuf Ahmad Aliyan, zyrtar i lartë i Xhihadit Islamik Palestinez në Gazë, sipas Britanisë, janë në listën e sanksioneve./rel
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...