Agjentët amerikanë kanë arrestuar dy udhëheqës të lartë të kartelit meksikan të drogës, Sinaloa. Arrestimet u kryen të enjten, më 25 korrik në Teksas, bëri të ditur Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ismael Zambada Garcia, i njohur edhe si “El Mayo”, bashkëthemelues i kartelit dhe Joaquin Guzman Lopez, djali i një tjetër bashkëthemeluesi, u arrestuan në El Paso , tha prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, përmes një deklarate.
Prokurori Garland e përshkroi kartelin e Sinaloas si “një prej organizatave më të dhunshme dhe më të fuqishme në botë për trafikimin e drogës”.
Dyshja e arrestuar përballen “me disa akuza në SHBA për udhëheqjen e operacioneve kriminale të kartelit, përfshirë edhe rrjetet e tij për prodhimin dhe trafikimin e fentanilit vdekjeprurës”.
Arrestimet konsiderohen një tjetër goditje e madhe ndaj kartelit Sinaloa, bashkëthemeluesi i të cilit, “El Chapo” Guzman po shërben dënimin me burgim të përjetshëm një burg të sigurisë së lartë në SHBA.
“El Chapo” u dënua më 2019 për udhëheqjen, e asaj që besohet se është kartelit më të madh në botë e narkotikëve.
Karteli, që është themeluar në shtetin veriperëndimor të Sinaloas, është një prej grupeve më të fuqishme dhe më të dhunshme kriminale të Meksikës.
Pas kapjes së “El Chapos”, disa nga djemtë e tij, të njohur kolektivisht si “Chapitos” trashëguan kontrollin e organizatës, sipas autoriteteve amerikane.
Një nga djemtë e tij, Ovidio Guzman Lopez, vitin e kaluar u ekstradua në SHBA dhe përballet me akuza për trafikim droge.
Drejtoresha e Administratës amerikane kundër Drogës, Anna Milgram, tha përmes një deklarate se arrestimi i Zambadas “është një goditje në zemër të kartelit që është përgjegjës për shumicën e drogës, përfshirë fetanilin dhe metamfetaminën, drogë që po vret amerikanët”.
Ndërkaq, kapja edhe një prej djemve të “El Chapos”, “paraqet një goditje tjetër të madhe për kartelin e Sinaloas”, shtoi Milgram.
Detajet e arrestimeve zyrtarisht nuk janë bërë publike, por mediat amerikane, duke u thirrur në burime të sigurisë, thanë se është zhvilluar një operacion dramatik dhe autoritetet kanë arritur që ta joshin “El Mayon” të kalojë padashur kufirin e Meksikës dhe të hyjë në tokën amerikane.
Fox News raportoi se Guzman Lopez e bindi Zambadan të udhëtonte me një avion privat për në jug të Meksikës, por avioni fluturoi drejt veriut dhe ateroi në El Paso të Teksasit.
Kur avioni aterroi, Guzman u dorëzua dhe “El Mayo” u kap, sipas Fox News.
Ndërkaq, The New York Times citoi zyrtarë amerikanë të kenë thënë se djali i Guzmanit e bindi Zambadan të hipte në avionin privat, që fluturoi drejt El Pasos, “nën pretendime të rreme”.
Zambada, 76 vjeç është bashkëthemelues i kartelit dhe është përshkruar nga InSight Crime si “një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në historinë amerikane”.
Ky institut ka thënë se Zambada “ka krijuar lidhje me nivelet më të larta të policisë federale dhe ushtrisë në Meksikë dhe ka korruptuar pjesëtarët e këtyre dy institucioneve në mënyrë që të ketë avantazh ndaj organizatave rivale”.
Zambada besohet se asnjëherë nuk ka vuajtur dënim në ndonjë burg dhe autoritetet amerikane po e ndiqnin atë për dekada të tëra.
Për informacione që do të çonin deri në arrestimin e tij, SHBA-ja kishte ofruar 15 milionë dollarë shpërblim.
Viktimat e luftërave mes karteleve të drogës përfshijnë pjesëtarë të bandave, personel të sigurisë dhe gazetarë, të cilët janë në mesin e më shumë se 450.000 persona të vrarë që kur Qeveria meksikane nisi një ofensivë ushtarake kundër karteleve të drogës më 2006.
SHBA-ja ka regjistruar më shumë se 107.000 vdekje nga mbidoza me droga dhe fentanili ishte përgjegjës për rreth 70 për qind të vdekjeve.
SHBA-ja ka thënë se fentanili shpesh prodhohet nga produktet që merren në Kinë dhe më pas kjo drogë kontrabandohet nga Meksika, kryesisht nga karteli Sinaloa./rel
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...