Google ADS

SHBA-ja akuzon Kinën për pretendime të paligjshme mbi Detin e Kinës Jugore

15:06 | 24 Gusht 2021
Arditë Shkodra

Amerika ka akuzuar Kinën se po sillet kërcënueshëm me aleatët e saj në Azinë Juglindore dhe po kanos sovranitetin e tyre.

Zv.presidentja Kamala Harris kreu në Singapor ndalesën e parë të turit rajonal, që ka për mision të shpalosë politikën e jashtme të SHBA-së dhe shqetësimin rreth influencës kineze.

Pekini konkurron me katër shtete të tjera në juglindje për zonat e Detit të Kinës Jugore, të pasura në burime natyrore dhe ku qarkullojnë triliona dollarë mallra me anije, përvit.

Por pala kineze po i mbron ishuj të caktuar me sisteme raketore, edhe pse gjykata ka konkluduar se pretendimet e saj janë të pabaza.

“Vizioni ynë është që të kemi liri lundrimi, gjë thelbësore për të gjithë ne. Por në Detin e Kinës Jugore ne e dimë se Pekini vazhdon të bëjë presion, t’u kanoset të tjerëve dhe të pretendojë pjesën më të madhe të Detit. Pretendime të tilla të paligjshme janë rrëzuar në vitin 2016 dhe veprimet e Pekinit po cenojnë rendin dhe po kërcënojnë sovranitetin e kombeve.”

Zv.presidentja Harris është zyrtarja më e lartë që viziton rajonin në mesin e krizës afgane, e cila e ka dëmtuar besueshmërinë e politikës së jashtme amerikane.

Të martën, ajo tha se vendimi për t’i tërhequr trupat nga Afganistani ishte kurajoz dhe i drejtë.

“Jemi jashtëzakonisht krenarë për burrat dhe gratë me uniformë, dhe për stafin e ambasadës që janë në terren tani duke realizuar evakuime historike nga një mjedis jashtëzakonisht i vështirë dhe i rrezikshëm. Në këtë sfidë u jemi mirënjohës partnerëve ndërkombëtarë.”

Harris vijoi të martën takimet me biznesin në Singapor ndërsa ndalesa e saj e radhës do të jetë Vietnami.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme