Google ADS

SHBA i paraqet Turqisë ofertën për sistemin Patriot

20:57 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) i ka prezantuar Turqisë ofertën për shitjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore Patriot, bënë të ditur zyrtarët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të siguruara nga zyrtarët, një delegacion amerikan që ka arritur në Ankara ka zhvilluar takime me një delegacion turk që përbëhet nga zyrtarë të Kryesisë së Industrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Siç mësohet, administrata e SHBA-së ia ka komunikuar palës turke ofertën për shitjen e sistemeve Patriot.

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit më 19 dhjetor miratoi shitjen e sistemeve Patriot Turqisë në vlerë prej 3,5 miliardë dollarësh.

Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes e Pentagonit kishte njoftuar se miratimi përfshin 80 raketa Patriot 90 MIM-104E, 60 raketa Patriot-3 me Cilësi të Avancuar (PAC-3) dhe pajisjet relevante.

Siç është njoftuar, paketa e sistemit të mbrojtjes përfshin edhe katër sete të radarëve AN/MQP-65, katër sisteme kontrolluese të fiksuara, dhjeta grupe antenash, 20 stacione lançimi M903, pesë centrale elektrike, si dhe pajisje komunikime, aparate testimi, programe të rrezeve të veprimit dhe pajisje të tjera mbështetëse.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në takimin vlerësues të fundvitit tha se miratimi nga autoritetet amerikane për shitjen e sistemeve Patriot vjen një vit e gjysmë pasi Turqia kishte parashtruar një kërkesë për blerjen e tyre, por shtoi se blerja e sistemeve Patriot nuk nënkupton anulim të blerjes së sistemeve S-400, për të cilat Turqia ka arritur marrëveshje me Rusinë.

Nga ana tjetër, SHBA ka kohë që kërkon që Turqia të anulojë blerjen e S-400 nga Rusia, ndërkohë që pala turke këmbëngul që anulimi i sistemit S-400 të mos jetë parakusht për shitjen e Patriotit nga ana e Washingtonit.

Krahas çmimit të sistemeve raketore, një tjetër pritje e Ankarasë ka qenë dhe ndarja e teknologjive.

Turqia ka kërkuar oferta atraktive nga pala amerikane për sa i përket ndarjes së teknologjisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme