Administrata amerikane e Presidentit Joe Biden ka hedhur një hap për të zgjidhur mosmarrëveshjen më të madhe që ka aktualisht me Gjermaninë, për gazsjellësin Nordstream 2. Një nëpunës i lartë amerikan i tha një gazete gjermane se për Nordstream 2 “gjermanët duhet të paraqesin një zgjidhje paketë në tryezë”.
Me këtë amerikanët sinjalizojnë se janë të gatshëm të negociojnë për një çështje, tek e cila në SHBA si rrallë herë janë bërë bashkë republikanët dhe demokratët: për ta penguar me çdo mjet përfundimin e gazsjellësit që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani e Evropë, pasi ai prek interesat e sigurisë të SHBA.
Zgjidhja paketë kupton për amerikanët që ata mund të heqin dorë nga sanksionet ndaj Nordstream 2 në këmbim të sigurive se me këtë gazsjellës Ukraina nuk do të shkëputet nga tregu evropian i gazit. Si dhe të hapave që do të sigurojnë se varësia e Evropës nga gazi rus të mos bëhet e madhe.
Në këtë kuadër amerikanëve u duket me interes propozimi për një mekanizëm kyçës të gazsjellësit Nordstream 2. Me këtë mekanizëm do të ndërpritej gazi në Nordstream 2, në rast se Rusia e vë nën presion Ukrainën duke mos i çuar asaj gaz.
Amerikanët thonë që nga sanksionet do të heqin dorë vetëm po të sigurohen që Rusia nuk do ta përdorë Nordstream 2 si armë, kundër Ukrainës dhe fqinjëve të tjerë.
Nëse ky mekanizëm është vetëm një mjet impresionues, me të cilin administrata Biden synon të dalë nga mosmarrëveshja e madhe me Gjermaninë duke ruajtur dinjitetin, apo ajo beson vërtet në efektivitetin e tij, kjo ka pak rëndësi. Propozimi nënkupton gjithsesi besim për Gjermaninë, e cila do ta kishte në dorë levën e ndërprerjes së gazit rus, në rast nevoje. Administrata Biden e trajton kështu Gjermaninë si shtet të respektuar, prej të cilit priten vetëm veprime të përgjegjshme. Dhe „një nga miket më të ngushta” të SHBA, siç deklaroi Biden të enjten (04.02.2021) në fjalimin programatik për politikën e jashtme, nuk ndëshkohet me sanksione kur nuk të pëlqejnë veprimet e tij.
Administrata Biden dëshiron të shkëputet nga spiralja e sanksioneve me Gjermaninë. Pasi, sipas medieve, edhe Gjermania e Franca kanë ngritur një grup pune për të shqyrtuar sanksione eventuale ndaj firmave amerikane. Kancelarja Merkel kujtoi në konferencën e shtypit pak javë më parë se ajo do t’i mbrojë interesat e Gjermanisë, në një kohë që Bideni mbron interesat amerikane.
Hapa gjermane për t’i qetësuar kritikët e Nordstream 2
Në fakt qeveria gjermane ka ndërmarrë një sërë hapashpër t’u treguar kritikëve se siguria e partnerëve ka rëndësi për të.
Ishte në sajë të këmbënguljes gjermane që në dhjetor 2019 Rusia nënshkroi me Ukrainën një marrëveshje, e cila ka hyrë në fuqi në 1 janar 2020. Kjo marrëveshje e detyron Rusinë që për pesë vjet, ta furnizojë edhe përmes Ukrainës, Evropën me gaz.
Por tani Uashingtoni dëshiron që kjo marrëveshje të rinegociohet për t’i sjellë përfundime më të mira Ukrainës.
Veç marrëveshjes ruso-ukrainase: qeveria gjermane ka hapur rrugën për ndërtimin në Gjermani edhe të dy ose tre terminaleve për gaz të lëngshëm, LNG. Me këtë edhe amerikanët mund të eksportojnë më lehtë gaz të lëngshëm në Gjermani dhe në Evropë. Kjo e ul mundësinë që për amerikanët të mos ketë më vend në tregun evropian të gazit; ajo e vështirëson edhe një varësi potenciale të Evropës nga gazi rus.
Qeveria gjermane ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë për t’a siguruar Ukrainën për mbështetjen e saj: këto ditë kanë vendosur kontakte me Berlinin firma ukrainase, të cilët mund ta furnizojnë Evropën me hidrogjen të pastër. Ukraina ka kushte të mira për këtë dhe mund të shfrytëzojë për furnizimin tubacionet ekzistuese të gazit, nëse ato nuk përdoren për gaz.
Interesat ekonomike dhe vazhdimi i bashkëpunimit politik
Interesi parësor i Rusisë duket që për eksportin e gazit të saj të shmangë varësinë nga marrëdhëniet me shtetet tranzite. Gazsjellësi ka rëndësi për presidentin Putinin.
Kurse interesi i Gjermanisë është që të ketë qasje të sigurtë direkte në rezervat ruse të gazit. Në plan afatmesëm gazi do të mbetet një lëndë e parë e rëndësishme dhe Gjermania ka pak burime vetjake lëndësh të para. Me këmbënguljen për të mos e braktisur Nordstream 2, Gjermania mban të zgjatur edhe dorën e bashkëpunimit drejt një shteti të rëndësishëm evropian si Rusia, e cila mundësoi ribashkimin Gjermanisë. Gjermania ka luajtur gjithmonë rolin e urës së mirëkuptimit mes Lindjes dhe Perëndimit.
Njëkohësisht, qeveria gjermane mbështet sanksione kundër Rusisë, kur gjykon që veprimet ruse kalojnë kufijtë. Si në rastin e opozitarit rus Navalni, për burgosjen e të cilit tani po diskutohet mundësia e sanksioneve të reja.
Por zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha këto ditë se midis Nordstream 2 dhe rastit Navalni nuk ka lidhje direkte. Ndërsa përfaqësues të ekonomisë gjermane deklaruan se po të varet çdo herë tregtia nga situata e përgjithshme politike, atëherë investorët nuk do të kenë më siguri për të investuar në BE. Sepse Nordstream 2 financohet privatisht dhe i respekton ligjet e BE.
A është Nordstream 2 kauzë e humbur për kritikët?
Një parje e padiferencuar e marrëdhënieve me Rusinë kundërshtohet rregullisht në Gjermani. Së fundi, kryetari i ri i CDU-së gjermane, Armin Laschet “e dënoi me ashpërsinë më të madhe” në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” atentatin ndaj Navalnyt. Por ai kujtoi se gaz nga Rusia do të nevojitet së afërmi në Gjermani. Ndaj ai kërkon që të përfundojë gazsjellësi Nordstream 2.
Ndërsa Norbert Röttgen, politikani i CDU-së dhe kritik i njohur i Nordstream 2 e zbuti të premten (05.02.) kërkesën që Nordstream 2 të mos ndërtohet. Ai kërkoi vetëm një moratorium të gazsjellësit “këtë herë jo si sanksion, por si pushim, për të nisur negociata”. Me to sipas tij mund të qetësohen evropianolindorët se Nordstream 2 nuk do të përdoret si armë kundër tyre.
Kritika franceze ndaj Nordstream 2 dhe motivet
Kritikët e projektit Nordstream 2 megjithatë nuk rreshtin së kërkuari ndërprerjen e punimeve. Së fundi ndërprerjen e Nordstream 2 e kërkoi sërish Franca, me sekretarin francez të shtetit për Evropën, Clément Beaune. Ai e argumentoi kundërshtimin me represionet ruse kundër kritikut të Kremlinit Navalny e mbështetësve të tij. Motivet e vërteta franceze për kritikën megjithatë nuk janë të qarta. Investorët francezë kanë financuar gati 1 miliardë nga dhjetë miliardë Euro sa kushton Nordstream 2.
Nëse Franca mendon se Rusia duhet ndëshkuar, dhe jo bashkëpunuar me të, atëherë shtrohet pyetja për politikën vetjake të Francës ndaj Rusisë.
Presidenti Macron ndërmori (pa sukses) disa përpjekje për afrimin me Rusinë. Ai e ftoi në shtëpinë e tij të pushimeve Putinin, edhe pa ftuar më parë atje kancelaren gjermane. Macroni këmbënguli për ripranimin apo riaktivizimin e Rusisë në Këshillin e Evropës. Ai dërgoi pa pyetur evropianët një delegacion të ministrisë franceze të Mbrojtjes në Moskë, për të rigjallëruar bashkëpunimin. Qëndrimit francez për Nordstream 2 i mungon konsekuenca.
Sipas Nordstream 2, nga projekti që të përfundojë kanë mbetur vetëm 30 km në ujërat gjermane dhe 120 km në ato daneze./DW/
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...