Google ADS

SHBA i kërkon Pekinit të ushtrojë trysni ndaj Iranit lidhur me sulmet e grupit Houthi

21:16 | 27 Janar 2024
R J

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i kërkoi Ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, që Kina të përdorë ndikimin e saj tek Irani për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

Gjatë një takimi në Tajlandë, të dy zyrtarët ranë dakord që të punojnë për të planifikuar një telefonatë mes Presidentit Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping.

Takimet në Bangkok të premten dhe të shtunën, që pasojnë bisedimet mes dy presidentëve në nëntor në Kaliforni, vijnë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale në Tajvan nga një kandidat i partisë në pushtet që kundërshtohet nga Pekini. Ndërkohë zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe kinezë kanë rifilluar një dialog i cili u ngri pas incidentit me balonat kineze mbi Shtetet e Bashkuara.

Bisedimet në Tajlandë u zhvilluan ndërsa rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, vazhdojnë të kërcënojnë transportin global në Detin e Kuq.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se gjatë bisedimeve zoti Sullivan përmendi ndikimin e madh ekonomik të Kinës ndaj Iranit dhe theksoi efektin destabilizues të sulmeve të lëvizjes Houthi ndaj tregtisë globale.

Zyrtari vuri në dukje se Kina ka bërë thirrje publike për uljen e tensioneve, por tha se ishte shumë herët për të gjykuar nëse Pekini po e përdorte ndikimin diplomatik ndaj Iranit për këtë çështje. Zyrtari foli në kushte anonime.

Ministria e Jashtme kineze citoi zotin Wang të ketë thënë se Uashingtoni duhet t’i qëndrojë angazhimit për të mos e mbështetur pavarësinë e Tajvanit.

Ministri Wang tha se zgjedhjet e Tajvanit, të fituara nga Lai Ching-te, zëvendëspresidenti aktual, nuk e ndryshojnë qëndrimin kinez se ishulli është pjesë e Kinës dhe se sfida më e madhe në marrëdhëniet SHBA-Kinë është çështja e “pavarësisë së Tajvanit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Presidenti Biden ka thënë se nuk e mbështet pavarësinë, por në bazë të një ligji amerikan, Shtetet e Bashkuara duhet t’i ofrojnë një mbrojtje të besueshme Tajvanit dhe çdo kërcënim ndaj ishullit ta trajtojë me përparësi./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme