Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë tre persona që ishin përfshirë në protestat mbarëkombëtare, teksa organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikën se autoritetet do t’i ekzekutojnë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, duke cituar deklaratën e lëshuar nga Amnesty International më herët gjatë javës, shprehu shqetësimin se Irani shumë shpejt do të ekzekutojë Majid Kazemi, Saleh Mirhashemi dhe Saeed Yaghoubi, të cilët u arrestuan nëntorin e kaluar për shkak të protestave në qytetin iranian të Isfahanit.
“Ne i bashkohemi popullit të Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar në thirrjet ndaj Iranit që të mos kryejë këto ekzekutime”, tha Patel për gazetarët.
“Ekzekutimet e këtyre personave, pasi gjykimet ndaj tyre janë cilësuar si të rreme, do të ishin një ofendim për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit bazik në Iran dhe gjetkë. Kjo situatë e bën të qartë se regjimi iranian nuk ka mësuar asgjë nga protestat që nisën nga një vdekje tjetër, vdekja e Mahsa Aminit”, shtoi ai.
Irani është përballur me protesta që nga shtatori i vitit 2022, kur Amini, 22 vjeçe, vdiq teksa po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
Irani ka rritur numrin e ekzekutimeve, përfshirë edhe ekzekutimin e katër protestuesve vitin e kaluar, duke nxitur dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.
Rasti i Kazemit ka nxitur shqetësim në Australi, ku jeton një pjesë e familjes së tij, me kushëririn e tij që ka thënë se ai ishte përfshirë “në protesta paqësore” përmes së cilave kërkohej ndryshimi në Iran./rel
Kanosi një prokuror përmes rrjeteve sociale, arrestohet i dy...
Real Madridi synon transferimin e mesfushorit të Liverpoolit
Rritje e lehtë e temperaturave, moti sot në Shqipëri
108 aksidente brenda një dite në Kosovë
Humb jetën një person në Viti, ishte duke pirë kafe në resto...
Vidhet një çantë me para në Graqanicë, policia po heton rast...