SHBA: Gjatë javës së kaluar çdo 33 sekonda ka humbur jetën nga një njeri

23:42 | 5 Janar 2021
Trina Galanxhi

Sipas Univeristetit John Hopkins, 2,637 vdekje u regjistruan në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar si rezultat i Covid-19, që do të thotë se mesatarisht, çdo 33 sekonda ka humbur jetën nga një njeri i infektuar me koronavirus.

Dhjetori ka qenë muaji më vdekjeprurës në SHBA që nga fillimi i pandemisë, ku humbën jetën 77,572 njerëz, shkruan CNN, transmeton portal arbresh.info

Numri i vdekjeve ka të ngjarë të rritet ndërsa numri i pacientëve të infektuar dhe të shtruar në spital rritet, shtoi Universiteti i Uashingtonit.

Që nga fillimi i pandemisë, SHBA ka regjistruar dje numrin më të madh të pacientëve me Covid-19 që janë shtruar në spital, total 125,544.

Gjatë javës së fundit, rritja ditore e numrit të rasteve të reja ishte mesatarisht 213,437, dhe sipas mjekëve, pikërisht mbledhjet familjare për shkak të festave të fundvitit kanë kontribuar në rritjen e numrave me koronavirus.

Shkon në mbi 86 milionë numri i të infektuarve nga koronavirusi në botë

Megjithëse numri i rasteve të reja u rrit me 16 përqind gjatë javës së kaluar, numri i testeve në të vërtetë u ul me 11.65 përqind.

Mjekët tani kanë frikë se rritja e numrit të të infektuarve rishtas mund të çojë në një mbingarkesë të sistemit shëndetësor dhe një numër më të lartë të vdekjeve, ndërsa fushata e imunizimit po zhvillohet me një ritëm të ngadaltë, sipas CNN, transmeton portali arbresh.info

Rreth 15.4 milion doza të vaksinës kundër Covid-19 janë shpërndarë në Shtetet e Bashkuara deri më tani, por vetëm rreth 4.5 milion njerëz kanë marrë dozën e parë, thanë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ky numër është dukshëm më i vogël sesa pritja që kanë pasur zyrtarët, prandaj sipas tyre imuniteti i tufës është akoma larg.

Për të përshpejtuar vaksinimin, Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë të japin gjysmën e dozës së vaksinës Moderne për njerëzit midis moshës 18 dhe 55, që do të thotë se dy herë më shumë njerëz në këtë grup moshë mund të marrin dozën.

Kjo mundësi do të shqyrtohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave këtë javë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme