SHBA duket se është e gatshme t’i japë Arabisë Saudite pak më shumë kohë për të përfunduar hetimet ndaj akuzave e Turqisë se agjentët sauditë vranë një gazetar me banim në SHBA brenda konsullatës së Riadit në Stamboll.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, pas takimit me udhëheqësit sauditë dhe turq këtë javë, informoi të enjten Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke i kërkuar atij t’i japë Arabisë Saudite edhe disa ditë të tjera për të përfunduar hetimin rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi.
Zoti Pompeo tha se pasi SHBA të shqyrtojnë raportin saudit, “Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë se cila mund të jetë përgjigja e duhur”.
Ai tha se janë përhapur shumë variante rreth asaj se çfarë mund t’i ketë ndodhur Khashoggit. Por ai nuk pranoi të shprehë hamendje mbi rezultatet e hetimeve në Arabinë Saudite dhe Turqi. Kryediplomati i SHBA tha se beson se nga hetimet do të dalë “një panoramë e plotë”.
Zoti Pompeo sqaroi se i kishte thënë mbretit saudit Salman dhe udhëheqësit de facto të vendit, princit të kurorës Mohammed bin Salman, se SHBA e merr “shumë seriozisht” çështjen Khashoggi por gjithashtu vuri në dukje se SHBA dhe Arabia Saudite kanë një “aleancë strategjike” prej shumë dekadash.
Takimi i zotit Pompeo me Presidentin Trump vjen pasi hetuesit turq kryen një kërkim të ri në konsullatë, i dyti brneda një jave. Ata përfunduan gjithashtu një kërkim prej nëntë orësh në rezidencën aty pranë të konsullit saudit në Stamboll, i cili u kthye papritmas në Riad të martën.
Arabia Saudite ka mohuar se ka dijeni për zhdukjen e Khashoggit.
Pas Riadit, zoti Pompeo shkoi në Ankara, për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu.
Media pro-qeveritare turke ka publikuar pohimet e hetuesve se agjentët sauditë i kanë prerë gishtat gazetarit, i kanë prerë kokën dhe i kanë coptuar trupin, pak pas arritjes së tij në konsullatën saudite më 2 tetor për të marrë disa dokumente martese.
Gazeta pro-qeveritare Sabah identifikoi zyrtarin e sigurimit saudit Maher Abdulaziz Mutreb si kreu i një “ekipi vrasësish” prej 15 anëtarësh që shkoi në Stamboll për të kryer ekzekutimin e Khashoggit.
Gazetari jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara duke shkruar komente për gazetën Washington Post, ku kritikonte princin e kurorës dhe përfshirjen saudite në luftën në Jemen.
Gazeta turke tha se Mutreb, është fotografuar shpesh pranë princit të kurorës gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.
Ndërkohë, gazeta Washington Post botoi të enjten atë që besohet të jetë shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilën ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe.
“Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet,” shkruan ai.
Presidenti Trump tha të mërkurën se ai dëshiron informacione audio dhe video nga Turqia, “nëse ekzistojnë”.
Kërkesa e tij erdhi pasi ai shprehu mbështetje për Arabinë Saudite, një aleate e vjetër e SHBA dhe tha se pret që hetimi i tyre për zhdukjen e Khashoggit të përfundojë deri në fund të javës.
“Ju e dini që ne kemi nevojë për Arabinë Saudite sa i përket luftës sonë kundër terrorizmit, gjithçkaje që po ndodh në Iran dhe në vende të tjera,” tha zoti Trump.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të largoheshin nga Arabia Saudite për çështjen Khashoggi, zoti Trump tha: “Unë nuk dua ta bëj këtë dhe sinqerisht ata kanë një kontratë-porosi të jashtëzakonshme, 110 miliardë dollarë”, duke iu referuar blerjes së premtuar nga sauditët të armatimeve amerikane në vitet e ardhshme.
“Janë 500 mijë vende pune, janë në fund të fundit 110 miliardë dollarë. Janë shumë,” tha Presidenti Trump./VoA/
Rizvanolli: Telekomi është meritor për sukseset që ka sot, n...
112 vjetori i Pavarësisë, flamuri shqiptar ngrihet në New Yo...
4000 copa letre për të krijuar flamurin kuq e zi/ Nxënësi ng...
Modernizimi i plotë i rrjetit “Vala”, Kurti: Për...
Krasniqi: Toni, fituesi i 5 medaljeve olimpike si trajner, ë...
Telekomi i Kosovës mban konferencë për media, pjesëmarrës Ku...