SHBA, fushatat e kandidatëve sot në Florida

15:38 | 29 Tetor 2020
Arbresh.info

Pesë ditë para zgjedhjeve presidenciale, kandidatët kryesorë po i përqendrojnë sot fushatat në shtetin juglindor të Floridës.

Në çdo zgjedhje që nga viti 1996, fituesi i Floridës ka marrë presidencën. Florida ka 29 nga të 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar zgjedhjet.

Presidenti Donald Trump e fillon ditën e tij të fushatës me një tubim në qytetin Tampa para se të udhëtojë në mbrëmje në Karolinën e Veriut.

Ish Nënpresidenti Joe Biden do të flasë në qarkun Broward pasdite dhe më pas shkon në Tampa në mbrëmje.

Sipas një mesatareje të sondazheve kryesore të përpiluara nga Real Clear Politics, presidenti Trump është pas zotit Biden në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin, ndërsa dy kandidatët janë pothuajse barabar në Florida dhe Karolinën e Veriut.

https://www.realclearpolitics.com/elections/trump-vs-biden-top-battleground-states

Presidenti Trump tha të mërkurën se gëzon mbështetje shumë më të madhe në shtetet e lëkundura se ç’tregojnë anketat, ku rivali i tij Joe Biden rezulton me epërsi.

“Shifrat në anketa i kam shumë të mira. Ju nuk i shihni shifrat e vërteta,” tha presidenti.

Anketat e tregojnë zotin Biden me një epërsi 7-8% në shkallë vendi, por në shtetet e lëkundura diferenca është sa gjysma e kësaj.

“Kemi pasur rritje në të gjitha shtetet që përmendni ju,” tha presidenti, i cili shtoi se është shumë mirë në Florida, Karolinën e Veriut dhe Pensilvani dhe se kryeson në Miçigan dhe Uiskonsin.

Më shumë se 75 milionë njerëz kanë votuar tashmë gjashtë ditë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave që u hodhën në vitin 2016.

Ekspertët e votimit thonë se pjesëmarrja mund të jetë më e larta që nga viti 1908, kur arriti në 65%./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme