Kongresi amerikan ende nuk ka caktuar votimin për ratifikimin e marrëveshjes tregtare mes Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës që njihet shkurtimisht si USMCA dhe zëvendëson Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut të vitit 1994 dhe njihej si NAFTA.
Siç njofton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, pritja po rëndon fermerët amerikanë të cilët janë duke kërkuar uljen e tarifave dhe stabilizimin e çmimeve për korrjet e tyre.
Në vend që të merrej me bagëtitë në fermën e saj në Floid (Floyd) të shtetit Ajova (Iowa), Pam Johnson do të preferonte të merrej me traktorët duke lëruar arat.
“Tani është koha e përshtatshme për të mbjellë që të kemi sa më shumë korrje këtë vit, por jemi të bllokuar”, thotë fermerja Pam Johnson.
Ajo thotë se moti i lagësht nuk është pengesë por marrëveshja tregtare dhe tarifat.
“Tarifat ndaj sojës po na dëmtojnë.”
Në vend të pritjes që fushat të thahen, Johnson niset me një mision në mendje.
“Mendoj se ja vlen të lë fermën gjatë sezonit të mbjelljeve dhe të flas me kongresmenë dhe senatorë rreth çështjeve që janë të rëndësishme për ne.”
“Autokolona për Tregtinë” është një nismë e sponsorizuar nga organizata jofitimprurëse ‘Fermerët për Tregtinë e Lirë’. Misioni në mbarë vendin gjatë pushimeve të fundit të Kongresit theksoi rëndësinë për ratifikimin e marrëveshjes tregtare mes Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës. Angela Marshall Hofman është me shoqatën ‘Fermerët për Tregtinë e Lirë.
“16 mijë vende pune që nga tregtia, eksportet dhe fusha të tjera që kanë lidhje me dy partnerët tanë kryesorë tregtarë Kanadanë dhe Meksikën, dhe më kryesorja, se pse kjo është kaq e rëndësishme për bujqësinë.”
Për atë misioni ‘Autokolona për Tregtinë’ është personal. Ajo është pronare e një ferme në shtetin Uajoming (Wyoming). Puna në fermën e saj është ndërprerë për shkak të pasigurisë së krijuar nga tarifat dhe negociatat e vazhdueshme për tregtinë.
“A do të riparojmë rrethimin? A do presim një projekt të madh konstruksioni? A do të bashkëpunojmë me fermerët e tjerë, do shtojmë bagëtinë apo jo? Ajo që dëgjojmë ëshë se pavarësisht se cilës industri i përket tani, po ndodhin shumë gjëra në luftën tregtare. Aktualisht egziston nevoja e madhe për të patur siguri.”
Në një prej ndalesave të misionit ‘Autokolona për Tregtinë’, Pam Johnson i shprehu drejtpërdrejt shqetësimet një prej senatorëve që përfaqësojnë shtetin e saj.
“A është e mundur të ratifikohet marrëveshja e re këtë sesion?”
Senatorja republikane Joni Ernst e Ajovës (Iowa) u përpoq të risiguronte zonjën Johnson dhe një grup biznesmenësh dhe fermerësh.
“Presidenti dëshiron të arrihen marrëveshje të mira dhe të drejta tregtare. Po negociohet pikërisht për këto. Sapo të mbarojmë me Kanadanë dhe Meksikën, dhe të nënshkruajmë marrëveshjen me Kinën, do të vazhdojmë të punojmë për marrëveshje të tjera tregtare në mbarë botën. Pastaj do të kemi një treg të zgjeruar për fermerët amerikanë.”
Ndërsa zonja Johnson beson se senatorja Ernst e kupton situatën, ajo thotë se ka ndjenja të përzjera lidhur me atë që duket se është jashtë kontrollit të saj, ratifikimi i marrëveshjes së re këtë vit.
“Shpresoj të miratohet këtë verë. Druhem se kjo nuk do të ndodhë.”
Droja tjetër po ashtu është jashtë kontrollit të saj, moti. Ajo që familja e saj fermere ka nevojë më së shumti, janë disa ditë me diell që fushat e saj të thahen nga lluca. Pavarësisht tarifave dhe marrëveshjeve tregtare, ata të paktën shpresojnë të kenë një sasi të mjaftueshme të korrash për treg./voa/
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre
Kanada, Kryeministri Trudeau dënon protestat e dhunshme në M...
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Stuhi, reshje shiu dhe dëbore godasin Shtetet e Bashkuara
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...