Google ADS

SHBA do të njoftojë blerjen e armëve me vlerë 6 miliardë dollarë për Ukrainën

08:05 | 26 Prill 2024
K.B

Qeveria amerikane do të shpallë së shpejti kontrata armësh me vlerë 6 miliardë dollarë të destinuara për Ukrainën, thanë zyrtarët amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters dhe Politico.

Ndër armët dhe municionet që do të blihen do të jenë radarë kundërajror, automjete të llojeve të ndryshme, raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, armë dhe municione për to, municione precize dhe sisteme kundër dronëve, sipas burimeve amerikane, të cilët folën me kushte të anonimitetit.

Ndihma e gjerë ushtarake është pjesë e një pakete financimi prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën që Kongresi miratoi këtë javë.

Të mërkurën, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi dërgimin e menjëhershëm të një pakete ndihme ushtarake prej 1 miliard dollarësh, duke përfshirë sisteme dhe municione të mbrojtjes kundërajrore, artileri, raketa dhe lloje të ndryshme të blinduara, që do të nxirren nga rezervat e ushtrisë amerikane.

Sipas Politico, blerjet me vlerë 6 miliardë dollarë do të bëhen nga industritë ushtarake amerikane dhe do të jenë artikuj të rinj, që do të thotë se ato nuk do të arrijnë në duart e ushtrisë ukrainase për disa vite.

Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën që kur ushtria ruse pushtoi territorin e saj në shkurt 2022 vlerësohet të ketë arritur në 45 miliardë dollarë./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme