SHBA do të furnizojë Ukrainën me raketa të mbrojtjes ajrore

12:48 | 21 Qershor 2024
K.B

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se do t’i japë përparësi dërgimit në Ukrainë të raketave të fuqishme të mbrojtjes nga ajri, pasi një seri sulmesh ruse me raketa dhe dronë dëmtuan objekte energjetike në të gjithë Ukrainën.

Qindra raketa të sapo prodhuara të tipit Patriot dhe NASAMS – që përdoren për mbrojtjen tokë-ajër – do të dërgohen në Ukrainë përpara vendeve të tjera që i kanë porositur ato, tha John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

Ai theksoi se dërgesat e planifikuara për Tajvanin dhe Izraelin nuk do të ndikohen nga kjo lëvizje dhe se vendet e tjera që prisnin dërgesat e ishin “gjerësisht mbështetëse” kur u informuan për vendimin e Uashingtonit.

“Natyrisht që nevojitet më shumë dhe nevojitet tani”, tha zoti Kirby për gazetarët gjatë një konference telefonike. “Pra, si rezultat, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka marrë vendimin e vështirë, por të domosdoshëm për t’u dhënë përparësi dërgesave në Ukrainë të raketave Patriot dhe NASAMS”.

Një sulm rus masiv me raketa dhe dronë gjatë natës dëmtoi objekte energjetike në të gjithë Ukrainën, një ditë pasi vendi njoftoi ndërprerje të energjisë elektrike për shkaqe të lidhura me luftën.

Shpërndarësi kombëtar i energjisë, Ukrenergo, tha të enjten se një sulm rus gjatë natës në një termocentral shkaktoi dëme serioze dhe plagosi tre punonjës.

“Pajisjet e objekteve në rajonet Vinnytsia, Dnipropetrovsk, Donetsk, Kiev janë dëmtuar”, thuhet në deklaratën e kompanisë Ukrenergo.

Sulmet ruse me dronë dhe raketa kanë përgjysmuar aftësitë e Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike krahasuar me vitin e kaluar, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy në fillim të këtij muaji.

Në fjalimin e tij të përditshëm, zoti Zelenskyy tha se zyrtarët po kërkonin mënyra për të përmirësuar situatën.

“Po përgatisim zgjidhje që do të sigurojnë një kalim më të qëndrueshëm të sezonit të nxehtë veror dhe do t’u ofrojmë njerëzve më shumë mundësi për ta kaluar këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë, sa i përket mungesës dhe ndërprerjeve të energjisë”, tha ai.

Forca ajrore ukrainase thanë se rrëzuan pesë nga nëntë raketat dhe të 27 dronët e lëshuar nga Rusia mbi 10 rajone të Ukrainës gjatë sulmit të së enjtes. Ushtria ukrainase tha se Rusia kishte vënë në shënjestër kryesisht Ukrainën lindore dhe në veçanti rajonin Dnipropetrovsk./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme