Google ADS

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve në prag të votimit mbi ndihmat ushtarake shtesë për Ukrainën dhe Izraelin

16:15 | 20 Prill 2024
E.G

Dhoma e Përfaqësuesve po mban një seancë të rrallë të shtunën ku do të votohet për projekt-ligjin që parashikon 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e tjerë të SHBA-së.

Demokratët dhe republikanët pritet të mbështesin projekt-ligjin, pas një beteje disamujore lidhur me pjesën e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur agresionin rus.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duke vënë në rrezik postin e tij, u mbështet tek votat e demokratëve këtë javë për të futur në rendin e ditës disa votime për tre projekt-ligje për ndihmat, si edhe një të katërt me disa propozime të tjera për politikën e jashtme.

Nëse projekt-ligjet miratohen, ato kalojnë në Senat, ku miratimi është pothuajse i sigurt. Presidenti Joe Biden ka premtuar ta nënshkruajë atë menjëherë.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane, skeptike për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, pati për muaj të tërë mosmarrëveshje për këtë aspekt të projekt-ligjit.

Arritja deri në pikën e votimit ka qenë një rrugë e vështirë për zotin Johnson dhe ky proces ka vënë në provë edhe vendosmërinë e tij edhe mbështetjen për të mes republikanëve, një pjesë e vogël e të cilëve por që po shtohet në numër, po kërkojnë haptazi largimin e tij nga detyra.

Megjithatë, udhëheqësit e kongresit i hodhën votat në një pikë kthese në histori, në një moment kur aleatët e SHBA-së përballen me luftëra dhe kërcënime, nga Evropa në Lindjen e Mesme dhe në Azi./voa/

Të ngjashme