SHBA dhe Turqia bien dakord për armëpushim në Siri

08:43 | 18 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se ishte kërcënimi i tij me sanksione ndaj Turqisë që e bëri vendin të binte dakord për një armëpushim pesëditor në luftimet me kurdët në Sirinë veriore.

Ai i bëri komentet para gazetarëve në Fort Worth të Teksasit.

Lajmin për armëpushimin e njoftoi nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me presidentin turk Tayip Erdogan.

Sipas marrëveshjes së arritur nga dy aleatët e NATO-s, Turqia do t’i ndalë operacionet për pesë ditë, ndërsa tërhiqet nga rajoni përgjatë kufirit.

Pas bisedimeve që zgjatën katër orë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja kishte marrë atë që donte, por refuzoi ta quante armëpushim.

“Ne do të bëjmë një pauzë të operacionit Pranvera e Paqes, në mënyrë që PKK/YPG të largohet nga zona e sigurt. Ky nuk është armëpushim, sepse armëpushimet bëhen vetëm mes dy palëve legjitime. Kur elementët terroristë të largohen krejtësisht nga zona e sigurt, atëherë mund ta ndalim operacionin”, tha ai në konferencë për shtyp.

Siç shkruan tutje Zëri i Amerikës, Pence udhëtoi drejt Ankarasë shoqëruar nga sekretari i Shtetit, Mike Pompeo në një përpjekje për të bindur presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.

Sulmi ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri. 200 mijë civilë po largohen nga vendi, ndërsa ka krijuar gjithashtu shqetësim të madh mbi sigurinë e mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik të braktisur në burgjet kurde.

Situata në Siri ka nxitur kritika ndaj presidentin Donald Trump. Trump është akuzuar për braktisje të luftëtarëve kurdë, partnerët kryesorë të Uashingtonit në betejën për të çmontuar kalifatin e vetëdeklaruar të Shtetit Islamik në Siri, me vendimin për të tërhequr trupat nga kufiri ndërsa Ankaraja nisi ofensivën e saj më 9 tetor.

Zoti Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit të tij të cilin e cilëson “të shkëlqyer nga pikëpamja strategjike”.

Përpara takimit në Ankara, zoti Trump shprehej i bindur se zoti Pence dhe Presidenti Erdogan do të kishin një takim të suksesshëm, por paralajmëronte se nëse kjo nuk ndodhte, Turqia do të goditej me sanksione e tarifa që do të ishin siç shprehej ai shkatërruese për ekonominë e vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme