Rusia dhe Shtetet e Bashkuara konfirmuan të martën angazhimin për të punuar për përmirësimin e marrëdhënieve, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ndodhet në Soçi. Zoti Pompeo po takohet me Presidentin rus Vladimir Putin, pas një takimi me Ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov.
Sekretari i shtetit, Pompeo u tha udhëheqësve rusë se Presidenti Donald Trump është “i angazhuar t’i përmirësojë marrëdhëniet” mes dy superfuqive.
“Secili nga vendet tona do të mbrojë interesat e veta, do të mbrojë interesat e popullit të vet. Por ne nuk jemi të destinuar të jemi armiq për çdo çështje dhe shpresoj që të mund të gjejmë fusha me interes reciprok dhe të fillojmë vërtet të ndërtojmë marrëdhënie të forta, të paktën për ato çështje”, tha Sekretari Pompeo para takimit me Ministrin Lavrov.
Vetë zoti Lavrov përdori një ton të ngjashëm.
“E kuptojmë që ka pasur një numër dyshimesh dhe keqkuptimesh nga të dyja palët. Por as ju, as ne nuk po fitojmë asgjë prej tyre. Përkundrazi, kjo armiqësi reciproke po rrit rreziqet e sigurisë për ju dhe për ne dhe ka shkaktuar alarm në gjithë komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.
Zoti Pompeo tha se për çështjet e kontrollit të armëve dhe përhapjes bërthamore, si edhe për konflikte të tjera rajonale dhe terrorizmin, ka hapësira ku të dyja palët të fillojnë të ndërtojnë mirëkuptim.
Pritej që Irani të ishte pikë e rendit të ditës në takimet e së martës në Soçi.
Para se të nisej për në Soçi, sekretari Pompeo shkruante se në takimet e tij në Rusi do të shtrojë një numër çështjesh të rëndësishme. “Në disa çështje mund të pajtohemi, në të tjerat mund të mos pajtohemi, por kur bëhet fjalë për interesin tonë kombëtar, është përgjegjësi e jona të gjejmë rrugën përpara”.
Forcat ruse kanë ndihmuar ushtrinë siriane që nga viti 2015, ndërsa Irani ka qenë mbështetës i madh i presidentit Bashar al-Assad, duke u ofruar mbështetje dhe trajnim milicive shiite.
Takimet në Soçi pasojnë takimet e sekretarit Pompeo me aleatët evropianë me të cilët ai ndau të dhënat e zbulimit mbi atë që Shtetet e Bashkuara e cilësuan “kërcënim të përshkallëzuar” të Iranit duke akuzuar Teheranin se ka dështuar të zgjedhë bisedimet mbi kërcënimet.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se ministrat e bllokut i thanë zotit Pompeo se shqetësimet e tyre kryesore ishin të ruanin paqen dhe zbatimi i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin.
“Mike Pompeo e dëgjoi këtë shumë qartë këtë mesazh nga ne, jo vetëm nga unë por edhe nga ministra të tjerë të Bashkimit Evropian, që ne po jetojmë në momente jetike, delikate ku qëndrimi më i përgjegjshëm do të ishte një vetëpërmbajtje maksimale dhe shmangia e çdo shkallëzimi ushtarak. Nga ana tjetër, siç kam pasur shansin të them ditët e fundit, ne vazhdojmë ta ftojmë Iranin që të përmbushë të gjitha angazhimet bërthamore dhe do të bëjmë tonën për zbatuar marrëveshjen bërthamore”, tha zonja Mogherini.
Paralajmërimet e Bashkimit Evropian lidhur me rritjen e tensioneve vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara që u tërhoqën nga marrëveshja ndërkombëtare për të tkurrur ambiciet bërthamore të Iranit, zhvendosën aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincolndhe katër avionë bombardues B-52 në Lindjen e Mesme në përgjigje të shqetësimeve se Irani mund të jetë duke planifikuar një sulm kundër objektivave amerikane.
Udhëtimi i zotit Pompeo vjen disa javë para takimit të nivelit të lartë G-20 në Osaka të Japonisë, ku pritet të marrin pjesë si Presidenti amerikan Donald Trump ashtu edhe homologu i tij rur, Vladimir Putin./VoA/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...