Qëkur mori detyrën si President i Shteteve të Bashkuara në janar të këtij viti, Donald Trump zgjodhi një kurs konfrontimi për të ndaluar Korenë e Veriut të zhvillonte një raketë balistike ndërkontinentale të pajisur me armë bërthamore (ICBM) që do të mund të godiste Shtetet e Bashkuara.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Seul, Brian Padden i hedh një vështrim zbatimit të strategjisë së “trysnisë maksimale” të administratës së Presidentit Trump që e vë theksin tek kërcënimi i besueshëm përmes forcës ushtarake dhe sanksioneve ekonomike në rritje për të detyruar regjimin e Kim Jong Un-it të heqë dorë nga prodhimi i armëve bërthamore.
Gjatë vitit 2017, presidenti Donald Trump e bëri ndalimin e kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut, një përparësi të lartë të sigurisë kombëtare.
“Ai rriti pritshmëritë mbi atë që do të bënte në lidhje me Korenë e Veriut. Dhe nëse nuk i bën ato gjëra, atëherë rrezikon dhe minon seriozisht identitetin e tij”, thotë analisti John Delury.
Në prill, në të njëjtën ditë që Presidenti Trump po darkonte me presidentin kinez Xi Jinping në vendpushimin e tij Mar-a-Lago në Florida, ai urdhëroi sulme të njëanshme me raketave ndaj Sirisë për shkak të dyshimeve se regjimi i Damaskut kishte përdorur armët kimike kundër civilëve.
Demonstrimi forcës ushtarake nga Presidenti Trump, sipas mbështetësve të tij, i dërgoi një mesazh presidentit Xi se nëse Kina nuk vepron për të kufizuar provokimet e Koresë së Veriut, Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin.
Nënpresidenti Mike Pence shkoi në rajon për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve të tyre, duke minimizuar kërcënimet e bëra nga zoti Trump gjatë fushatës për të tërhequr trupat, në rast se Koreja e Jugut dhe Japonia nuk nuk do të paguanin më shumë për ndarjen e kostove të mbrojtjes.
Trump gjeti një mbështetës të fortë për politikën e tij të ashpër ndaj Koresë së Veriut tek kryeministri japonez Shinzo Abe.
Megjithatë, Koreja e Jugut, pas shkarkimit të presidentes konservatore Park Geun-hye, zgjodhi liberalin Moon Jae-in, i cili mbështet masat e forta parandaluese, por kundërshton përdorimin e forcës ushtarake amerikane në gadishullin Korean.
David Straub, analist, Instituti Sejong
“Presidenti Moon ka qenë i qartë në besimin se lufta në gadishullin Korean nuk duhet të konsiderohet kurrë si një opsion, veçse në rastin kur ajo fillohet nga Koreja e Veriut”, thotë analisti David Straub nga Instituti Sejong.
Ndërsa mbështetësit e ndërhyrjes ushtarake amerikane argumentuan në favor të luftës parandaluese për të eleminuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut, Sekretari i amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis paralajmëroi se viktimat nga një veprim i tillë do të ishin “tragjike dhe të një shkalle të pabesueshme”.
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson në disa raste mbështeti bisedimet e pakushtëzuara me udhëheqësit në Phenian, por Presidenti Trump ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur komentet e diplomatit të tij të lartë, duke shtuar spekulimet se ai së shpejti do ta zëvendësonte atë.
Në vend të gjuhës diplomatike, Presidenti Trump ka përdorur retorikë nxitëse, duke paralajmëruar se Koreja e Veriut do të përballet me “zjarr dhe furi” dhe duke e quajtur Kim Jong Un-in, një “Njeri Raketash” në një mision vetëvrasës.
Pheniani u tërhoq nga një kërcënim për hedhjen e një rakete balisitike ndërkontinentale në ujërat pranë territorit amerikan të Guamit në Paqësor, por hodhi dy raketa me rreze të gjatë veprimi mbi Japoni dhe në shtator kreu provën e tij të gjashtë bërthamore.
Në Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e bindën Kinën dhe Rusinë që të mbështesnin sanksione më të forta ndërkombëtare që ndalojnë eksportin e qymyrit dhe të artikujve të tjerë minerar të Koresë së Veriut dhe ndërprenë një të tretën e importeve të saj të naftës.
Në nëntor, Koreja e Veriut njoftoi se kishte arritur qëllimin e saj për të zhvilluar aftësitë operacionale të raketave balistike ndërkontinentale (ICBM), pas kryerjes së provës së saj më të fuqishme me raketa deri tani.
Pak ekspertë presin ndonjë arritje diplomatike në një të ardhme të afërt, por nëse Koreja e Veriut pranon të marrë pjesë në Lojrat e ardhshme Olimpike dimërore në Korenë e Jugut, atëherë mund të ketë një ndalim të provokimeve./VoA/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?