SHBA “çimenton” bazat në Gjermani, blindohet krahu lindor i NATO-s

13:39 | 9 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

SHBA do të investojnë vitin e ardhshëm një gjysmë miliardë dollarë në bazat amerikane në Gjermani.

Administrata Biden e rikthen kështu plotësisht vëmendjen ushtarake të SHBA-së në vendin e fuqishëm europian, ndërkohë që paraardhësi i tij, Donald Trump planifikonte zhvendosjen e një pjese të tyre dhe reduktimin e forcave amerikane në Europë.

Në buxhetin e qeverisë së SHBA për vitin 2023 janë caktuar 506 milionë dollarë për bazat ushtarake në Gjermani, në landin federal jugperëndimor të Rheinland-Pfalzit.

Mbi gjysmë miliardi dollarë do të investohen tani në bazat ushtarake amerikane në këtë land, Baumholder dhe Weilerbach.

Në atmosferën e luftës në Evropë, ky lajm u mirëprit nga shumë njerëz në Gjermani. SWR1, radioja kryesore publike e landit federal të Rheinland-Pfalzit, i hapi disa emisione radhazi lajmesh pikërisht me lajmin e investimeve amerikane.

Ministri i Brendshëm i këtij landi, Roger Lewentz, deklaroi pas udhëtimit për këtë shkak në SHBA se “ky është projekti më i madh ushtarak jashtë SHBA.”

Me 207 milionë dollarë, në bazën e Baumholderit do të ndërtohet një seli e re për stacionimin e trupave shtesë amerikane, shpjegon DW.

Veç kësaj do të ndërtohen edhe shtëpi dhe shkolla për amerikanët. Ndërsa 299 milionë dollarë do të përdoren për të ndërtuar një spital të ri amerikan në Weilersbach.

Ndërtimi do të fillojë këtë vit, në tremujorin e tretë. Bazat ushtarake amerikane në Gjermani do të kenë një “rritje të jashtëzakonshme të rëndësisë” si qendra për krahun lindor të NATO-s.

Ky është mesazhi që solli nga bisedimet në SHBA, ministri i brendshëm i landit të Rheinland-Pfalzit, Lewenz.

Njëkohësisht SHBA mbështet ndërtimin e bazave të NATO-s në shtetet e Lindjes të Evropës. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA, gjenerali Mike Milley u shpreh para Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve për ndërtimin e bazave të reja të NATO-s, p.sh. në Poloni apo në Shtetet Baltike./TopChanel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme