SHBA, çfarë ndodh nëse votat e Kolegjit Elektoral ndahen në dysh

16:54 | 7 Nëntor 2020
Arbresh.info

Teksa votat ende po numërohen në disa shtete, tri ditë pas ditës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ka mundësi që kandidatët të fitojnë numër të njëjtë të votave të Kolegjit Elektoral, i cili përcakton fituesin.

Çfarë do të ndodhë nëse, si presidenti republikan, Donald Trump, ashtu edhe kandidati demokrat, Joe Biden, fitojnë nga 269 vota elektorale?

Presidenti amerikan nuk zgjidhet përmes votës popullore.

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, secili kandidat që fiton shumicën e votave të Kolegjit Elektoral bëhet president amerikan.

Zakonisht, të gjitha votat elektorale të një shteti shkojnë për kandidatin që fiton votën popullore në secilin prej 50 shteteve.

Këta përfaqësues të Kolegjit Elektoral pritet të mblidhen më 14 dhjetor për të votuar në bazë të rezultateve në secilin shtet, të cilin e përfaqësojnë.

Rreth tri javë më vonë, më 16 janar, të dyja dhomat e legjislaturës së re amerikane, pritet të numërojnë votat dhe të shpallin fituesin.

Cilado ankesë në Kongres rreth votimit duhet të zgjidhet para 20 janarit.

Kjo është koha kur, sipas kushtetutës amerikane, i skadon mandati aktual presidentit Donald Trump.

Nëse ndonjë ankesë vazhdon të ekzistojë ose nëse ligjvënësit amerikanë përcaktojnë se asnjëri kandidat nuk ka fituar shumicën e 538 votave të Kolegjit Elektoral -ndeshje 269 me 269 – presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të përcaktohet nga të ashtuquajturat zgjedhje të delegacioneve.

Në këto lloj zgjedhjesh, Dhoma e Përfaqësuesve do të zgjidhte presidentin e ardhshëm.

Senati do të zgjidhte nën-presidentin.

Mirëpo në këtë proces ku merr pjesë Dhoma e Përfaqësuesve, e cila pritet të kontrollohet nga një shumicë e Partisë Demokratike, nuk do të përfshiheshin të gjithë 435 ligjvënësit.

Secili delegacion shtetëror ka të drejtën e një vote të bazuar në atë se cila parti kontrollon më së shumti ulëse në atë shtet.

Aktualisht, republikanët kontrollojnë 26 nga 50 delegacionet shtetërore, derisa demokratët kontrollojnë vetëm 22.

Një Pensilavani, delegacioni shtetëror është i ndarë në mënyrë të barabartë në mes të republikanëve dhe demokratëve.

Miçigeni ka shtatë demokratë, gjashtë republikanë dhe një përfaqësues të rrymës ideologjike libertiane.

Meqë demokratët pritet të humbin ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve, bazuar në zgjedhjet e 3 nëntorit, republikanët do të mund të kontrollonin votat që duhen për të shpallur Trumpin fitues, nëse votat e Kolegjit Elektoral barazohen.

Mirëpo edhe vendimi për një votim të tillë të përfaqësuesve do të mund të pasohej me sfida ligjore.

Sipas ligjit federal amerikan, nëse Kongresi nuk shpall fituesin deri më 20 janar, Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve merr pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Nancy Pelosi, demokrate, aktualisht është kryesuese e këtij trupi dhe pritet ta fitojë sërish atë pozitë kur të formohet legjislatura e re më 3 janar.

Deri në mesditën e 7 nëntorit, Biden ka qenë në epërsi ndaj Trumpit në garën për fituar 270 vota elektorale me 253 në total, për dallim nga Trump që ka 213.

Rezultatet përfundimtare në gjashtë shtete – Alaskë (3 vota elektorale), Arizonë (11), Xhorxhia (16), Nevada (6), Karolinë Veriore (15) dhe Pensilvani (20) – janë ende të domosdoshme për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme