SHBA, BE: Integrimi i Tiranës dhe Shkupit në BE, kritik për të ardhmen e kontinentit

18:37 | 9 Korrik 2022
E.H

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë të shtunën se përparimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është kritik në këtë moment kyç për kontinentin dhe shprehën mbështetjen për një propozim kompromisi që merr parasysh interesat e Shkupit dhe Sofjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, e shprehën këtë qëndrim në një deklaratë të përbashkët ku mbështetet hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

“Në këtë moment kritik të historisë evropiane, në kushtet e agresionit të pajustifikueshëm të Rusisë kundër Ukrainës, përparimi drejt anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e unitetit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian. Të udhëhequr nga vlerat e përbashkëta dhe standardet e BE-së, të dyja vendet janë gati të ndërmarrin hapin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në deklaratë.

Blinken dhe Borrell thanë se mbështetin një propozim kompromisi që “merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok”.

“Vendimi sovran i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë kompromisi konstruktiv mbi të cilin është ndërtuar integrimi evropian duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces historik”, vazhdon deklarata.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor. Sigurimi i stabilitetit dhe prosperitetit dhe realizimi i së ardhmes së tyre evropiane dhe euroatlantike mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, përfundon deklarata.VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme