SHBA: Bashkëpunojmë me Turqinë për zonën e sigurisë në Siri

10:14 | 20 Shkurt 2019
Arbresh.info

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po bashkëpunojnë në mënyrë aktive me Turqinë në krijimin e një zone të mundshme të sigurisë në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi duke punuar në mënyrë aktive me Turqinë në këtë fushë dhe kjo është pjesë e përpjekjeve tona që të organizojmë tërheqje të sigurtë të ushtrisë amerikane nga Siria”, ka thënë zëdhënësi i dytë i Sekretariatit amerikan të Shtetit, Robert Palladino.

Presidenti i SHBA-ve, Donlad Trump, në fund të vitit të kaluar solli një vendim të papritur për tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Siria.

Mirëpo, ushtarët amerikanë ende nuk kanë filluar të largohen nga Siria, por se Pentagoni muajin e kaluar njoftoi se në Siri ka dërguar forca shtesë për të mbrojtur ushtarët dhe pajisjet që përgatiten për t’u kthyer në shtëpi.

Turqia në mënyrë të vazhdueshme paralajmëron për rreziqet e sigurisë të cilat mund të burojnë nga tërheqja e SHBA-ve, nëse ajo lë hapësirë veprimi grupit terrorist PYD/YPG, apo degës siriane të PKK-së.

Palladino në mëngjes tha se Washingtoni zyrtar me seriozitet kupton shqetësimet e sigurisë të Turqisë dhe i konsideron si legjitime dhe të arsyeshme.

“Kemi marrë parasysh paralajmërimet e Turqisë dhe punojmë në koordinimin e aktiviteteve. Nuk do të zbulojmë detaje, por bisedimet janë në vijim”, tha Palladino.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme