Administrata e Presidentit Biden anuloi zyrtarisht politikën e imigracionit të vënë në zbatim nga administrata Trump që i detyronte azil-kërkuesit të prisnin në Meksikë ndërkohë që gjykata amerikane e imigracionit shqyrtonte rastin e tyre.
Një njoftim me shtatë faqe nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas bën të ditur përfundimin e “Protokolleve për Mbrojtjen e Migrantëve” që ka kthyer 70,000 azil-kërkues në Meksikë që nga janari 2019 deri kur u pezullua nga Presidenti Biden në ditën e parë kur erdhi në detyrë.
Ky ishte një vendim i pritshëm, pasi gjatë fushatës presidenciale zoti Biden e pat premtuar ndaljen e kësaj praktike, megjithëse kishte lënë një mundësi hapur për ta rishikuar para anulimit të plotë.
Zoti Mayorkas tha se vazhdimi ose modifikimi i kësaj politike “do të binte ndesh me vizionin dhe vlerat e administratës dhe do të përfaqësonte përdorim jo të mirë të burimeve të departamentit”. Ai shton se kostoja e kësaj politike i tejkalon ndjeshëm përfitimet.
Gjatë zbatimit të kësaj politike u vërejt një rënie e ndjeshme e numrit të azil-kërkuesve, por kritikët vënë në dukje se aplikantët nuk arrinin të vinin në gjykatë si rezultat i kostos dhe pengesave për të udhëtuar, kushteve të vështira në Meksikë dhe mungesës së avokatëve. Zoti Mayorkas pohoi se kishte pasur një numër të madh aplikimesh të mohuara pasi personat nuk ishin paraqitur në gjykatë në ditën e caktuar, duke përmendur problemet me strehimin, fondet dhe sigurinë në Meksikë.
Republikanët shprehën kritika ndaj vendimit të administratës duke e cilësuar situatën në kufirin jugor amerikan si serioze, me paralajmërimin se demokratët do të paguajnë kosto politike.
Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora
Përurohet sot renovimi në hemodializën të Spitalit në Prizre...
Parashikimi i motit për sot
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...