Google ADS

ShBA akuzuan Moskën për bashkëpunim “brutal” në vrasjen e civilëve në Siri

09:52 | 5 Mars 2018
M. A.

ShBA’të akuzuan Moskën për bashkëpunim “brutal” në vrasjen e civilëve në enklavën Guta Lindore të Sirisë, duke thënë se avionët rusë hedhin bomba në kundërshtim me armëpushimin e Kombeve të Bashkuara.
Komentet e Shtëpisë së Bardhë janë ndër më të ashprat drejtuar Moskës për mbështetjen e Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, gjatë shtatë vjetëve luftë në Siri.

“SHBA dënon ofensivën e vazhdueshme ushtarake që regjimi i Assadit, i mbështetur nga Rusia dhe Irani, po kryen kundër popullit në Gutan Lindore”, tha Shtëpia e Bardhë.

Në deklaratë thuhet se avionët ushtarakë rusë janë nisur nga aerodromi Humajmim në Siri dhe kanë kryer së paku 20 misione bombarduese në ditë pranë Damaskut dhe në Guta, në periudhën 24-28 shkurt.

“Rusia ka vazhduar të injorojë kushtet e armëpushimit të OKB-së dhe të vrasë civilë nën maskën e rreme të operacioneve kundër terrorizmit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryeministrja britanike, Theresa May, u dakorduan gjatë një bisede telefonike se Qeveria siriane dhe mbështetësit e saj rusë mbajnë përgjegjësi për “vuajtjet zemërthyera njerëzore” në Guta, bëri të ditur kabineti i kryeministres May.

Assad, në anën tjetër, tha se forcat e tij do të vazhdojnë me ofensivën kundër rebelëve në Gutan Lindore, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund asaj.

Ai i bëri këto komente në televizionin shtetëror, derisa ushtria siriane duket se ka avancuar në disa fronte në operacionin e saj për të marrë kontrollin e Gutas nga rebelët.

Sipas aktivistëve, dhuna në Gutan Lindore ka lënë mbi 600 njerëz të vrarë prejse forcat qeveritare dhe aleatët e tyre kanë përshkallëzuar ofensivën më 18 shkurt.

As “armëpushimi humanitar” i urdhëruar nga Moska, aleati kryesor i Sirisë, as thirrja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim 30-ditësh mbarëkombëtar nuk kanë çuar në asnjë ndihmë humanitare për enklavën e goditur, ku janë të bllokuar rreth 393,000 njerëz.

Rusia, së bashku me Iranin, i kanë dhënë Qeverisë së Assadit mbështetje të rëndësishme gjatë gjithë luftës, e cila ka nisur me goditjen e qeverisë mbi protestat paqësore.

Moska ka ndihmuar në kthimin e konfliktit në favor të Assadit, duke nisur fushatën e sulmeve ajrore në vitin 2015 dhe duke rritur praninë e saj ushtarake në terren.

Në një tjetër zhvillim, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje homologut të tij iranian, Hassan Rohani, që të bëjë presion mbi Qeverinë siriane për të ndaluar sulmet “pa dallim” mbi civilët në enklavën Guta.

Gjatë bisedës telefonike, presidenti francez theksoi “përgjegjësinë e veçantë për Iranin, për shkak të lidhjeve të tij me regjimin e Damaskut”, tha zyra e Macronit.

Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e presidencës iraniane, Rohani i tha Macronit se vendet që shesin armë në Arabinë Saudite dhe aleatët e saj duhet të përgjigjen për “krimet e luftës” të kryera në Jemen.

Franca është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në Arabinë Saudite. Kjo e fundit po udhëheq një koalicion ushtarak në mbështetje të Qeverisë së Jemenit, e cila lufton rebelët shiitë Huthi qysh në vitin 2015.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme