SHBA akuzon tre koreano-veriorë për mbi 1.3 miliardë dollarë vjedhje

10:19 | 18 Shkurt 2021
Arbresh.info

Tre koreano-veriorë janë akuzuar në SH.B.A. për një skemë për të vjedhur dhe zhvatur më shumë se 1.3 miliard dollarë (940 milion £) nga bankat dhe bizneset në të gjithë botën.

Të tre, të cilët nuk janë në paraburgim, akuzohen gjithashtu për vendosjen e programeve keqdashës për kriptomonedha.

Një qytetar kanadezo-amerikan u akuzua gjithashtu për pastrim parash, raporton BBC.

Burrat akuzohen gjithashtu se ishin pjesë e sulmit kibernetik Wannacry të vitit 2017, i cili gjymtoi sistemet kompjuterike të shërbimit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar në shkallë kombëtare.

Duke njoftuar akuzat, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare, John Demers, tha se Koreja e Veriut “është bërë një sindikatë kriminale me një flamur”.

Një nga të pandehurit, Park Jin Hyok, ishte akuzuar dy vjet më parë për rolin e tij në hakimin e vitit 2014 të Sony Entertainment Pictures, transmeton arbresh.info.

Park, Jon Chang Hyok dhe Kim Il akuzohen për komplot kriminal, komplot për të kryer mashtrime për transfere dhe mashtrime bankare.

Departamenti i Drejtësisë thotë se të pandehurit punojnë për Zyrën e Përgjithshme të Zbulimit, agjencia e inteligjencës ushtarake e Koresë së Veriut.

“Operatorët e Koresë së Veriut, duke përdorur tastierë në vend të armëve, duke vjedhur kuletat dixhitale të kriptomonedhës në vend të thasëve me para, janë grabitësit kryesorë të bankave në botë,” tha Z. Demers.

Të tre burrat besohet të jenë në Korenë e Veriut, e cila nuk ekstradon qytetarët e saj për t’u përballur me akuzat e SHBA.

Burri kanadezo-amerikan, 37-vjeçari Ghaleb Alaumary, nga Mississauga, Ontario, akuzohet si pastrues parash i grupit në një çështje të veçantë të njoftuar të Mërkurën. Zyrtarët thonë se ai ka rënë dakord të deklarohet fajtor për akuzën./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme