Departamenti i Shtetit të SHBA-së fajësoi Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) për helmimin e opozitarit rus, Alexey Navalny
“SHBA-të besojnë se pjestarët e shërbimit të sigurimit federal rus përdorën agjentin nervor Novichok për të helmuar Navalny-in. Nuk ka një shpjegim bindës për helmimin e Navalny-t, përveç përfshirjes dhe përgjegjësisë së autoriteteve ruse”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit për portalin “The Hill”, të publikuar të mërkurën.
Më tej thuhet se autoritetet ruse dhe presidenti i vendit, Vladimir Putin vazhdojnë të bindin të tjerët se nuk janë përfshirë në këtë rast.
“Rusia disa herë ofroi një sërë teorish komploti, shpesh kontradiktore. Të jemi të qartë, këto teori komploti nuk janë asgjë më shumë se sa mjete për shmangien e vëmendjes nga çështje thelbësore për të cilat autoritetet ruse duhet të japin përgjigje”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu thuhet se SHBA beson në atë që ka zbuluar Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) lidhur me helmimin e Navalny-t dhe rikujtuan se më parë laboratoret gjermane, franceze dhe suedeze konfirmuan se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok.
Navalny, 44-vjeç, një kritik i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas uljes së detyrueshme në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus përpara se të dërgohej në Berlin për mjekim. Gjermania deklaroi se janë të sigurtë se opozitari rus është helmuar.
Navalny është një nga kritikët më të ashpër të presidentit rus Putin. Ish-avokati Navalny është i njohur për luftën kundër korrupsionit në vend si dhe ka udhëhequr protestat para Kremlinit. Ai shpesh u privua nga liria, kurse me çështjen e tij është marrë dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut./AA/