Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se do të japin 89 milionë dollarë për të ndihmuar në pastrimin e minave tokësore, pajisjeve shpërthyese të improvizuara dhe mjeteve të pashpërthyera të vendosura nga forcat ruse në Ukrainë.
Ndihma financiare, e njoftuar të martën nga Departamenti i Shtetit, do të ndihmojë në financimin, stërvitjen dhe pajisjen e afërsisht 100 ekipeve të çminimit gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa ata do të përballen me atë që zyrtarët e kanë cilësuar një problem masiv që shtrihet në të paktën 160,000 kilometra katrorë të territorit ukrainas, duke përfshirë dhjetë për qind të tokës bujqësore të Ukrainës.
“Kjo është një sfidë me të cilën Ukraina do të përballet për dekada”, u tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit gazetarëve të martën, duke folur në kushte anonimiteti.
Zyrtari më tej e krahasoi përdorimin e minave dhe eksplozivëve nga Rusia me taktikën e tokës së djegur të përdorur nga grupet terroriste, si Shteti Islamik (ISIS).
“Ky përdorim i tmerrshëm i mjeteve shpërthyese të improvizuara nga forcat ruse të kujton taktikat e ISIS-it në Irak dhe Siri, ku terroristët e ISIS-it u përpoqën të shkaktonin sa më shumë viktima civile dhe t’i bënin njerëzit të frikësoheshin nga kthimi në shtëpitë e tyre”, tha zyrtari.
“Ndërsa forcat ruse u tërhoqën nga veriu i Ukrainës, ata kishin lënë kurthe dhe pajisje shpërthyese të improvizuara në objektet ushqimore, bagazhet e makinave, lavatriçet, dyert, shtretërit e spitaleve dhe madje edhe në trupat e të vrarëve”, tha zyrtari.
“Ministria ukrainase e Punëve të Jashtme ka thënë se forcat ruse kanë fshehur qëllimisht eksplozivë në lodra dhe objekte me shkëlqim që tërheqin vëmendjen e fëmijëve”, shtoi zyrtari amerikan.
89 milionë dollarët do të merren nga buxheti i Departamentit të Shtetit për Vitin Fiskal 2022, si dhe nga një seri projektligjesh financimi shtesë të miratuara nga Kongresi në fillim të këtij viti.
Një raport i organizatës Human Rights Watch qershorin e kaluar, i cituar nga Departamenti i Shtetit, akuzoi Rusinë për përdorimin e shtatë llojeve të minave tokësore në Ukrainë.
Minat kundër personelit, të cilat aktivizohen nga afërsia ose kontakti me një person, janë të ndaluara bazuar në Konventën e Otavës të vitit 1997.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk janë nënshkruese të traktatit.
Por presidenti amerikan Joe Biden njoftoi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të kufizojnë përdorimin e minave tokësore, duke i përdorur ato vetëm për të ndihmuar në mbrojtjen e Koresë së Jugut nga Koreja e Veriut.
Pjesë e ndihmave të mëparshme amerikane të sigurisë për Ukrainën kanë qenë edhe municionet kundër personelit, “Claymore”.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë, megjithatë, se “Claymore” është konfiguruar në përputhje me rregulloret e përcaktuara nga Konventa e Otavës.
Për momentin, zyrtarët amerikanë shpresojnë që ndihma e re mund të përforcojë përpjekjet ekzistuese të Ukrainës për çminim.
Departamenti i Shtetit tha se ekipet ukrainase kanë pastruar tashmë rreth 160,000 mina dhe pajisje të tjera të pashpërthyera.
Ndërsa ekipet e reja stërviten, pajisen dhe dislokohen, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina shpresojnë të kuptojnë më mirë strategjinë luftarake të Rusisë./voa/
Berisha i drejtohet shqiptarëve në Londër: Keni rol përcaktu...
Anglia merr fitore të thellë ndaj Irlandës dhe rikthehet në ...
Kurti: Doracakët asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë e as teks...
‘Termokos’: 17.500 konsumatorë me pajisje matëse për ngrohje
Eksperti gjerman bën një propozim radikal: Burrat patentë-sh...
Scholz mbron bisedën telefonike me Putinin