Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën një ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, prej rreth 1.3 miliardë dollarësh.
Në paketë përfshihen sisteme që përforcojnë aftësitë e mbrojtjes ajrore të vendit krahas municionesh të tjera.
Në një deklaratë të mërkurën Pentagoni tha se ky shënon fillimin e një procesi për të ofruar aftësi shtesë ushtarake prioritare për Ukrainën.
Ndërkohë të mërkurën zyrtarët ukrainas njoftuan se forcat ruse sulmuan nga ajri rajonin e Odesës për të dytën ditë me radhë.
Shënjestër e sulmeve ishte edhe kryeqyteti i vendit, Kievi, si dhe disa zona të tjera.
Sipas Forcave ajrore të Ukrainës, ushtria kishte rrëzuar 37 nga 63 raketa e dronë të lëshuar nga Rusia në të gjithë vendin.
Objektiva kryesore të sulmeve ishin infrastruktura dhe objekte ushtarake në zonën e Odesës.
Portet e Odesës, një qytetet në jug të Ukrainës, janë përdorur për të eksportuar grurë bazuar në një marrëveshjeje që zgjati për gati një vit përpara se Rusia të njoftonte të hënën se po hiqte dorë prej saj.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të mërkurën se sulmi më i fundit i Rusisë, “kishte në shënjestër infrastrukturën që mbulonte marrëveshja e grurit, duke shtuar se çdo raketë ruse është një goditje jo vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj të gjithëve atyre në botë që duan një jetë normale dhe të sigurt”.
Guvernatori rajonal i Odesës Oleh Kiper tha se sulmi ishte “i fuqishëm” dhe u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në strehime. Ushtria ukrainase tha se kishte arritur të rrëzonte 23 nga 32 dronë Shahed, të prodhuar nga Irani si dhe 14 raketa ruse me vetëdrejtim (kruz).
Në një mesazh në telegram Serhii Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, shkruante se mbrojtja ajrore kishte asgjesuar të gjithë dronët që kishin në shënjestër Kievin dhe se nuk kishte njoftime të menjëhershme për dëme.
Pas natës së parë të sulmeve ajrore, që goditën Odesën dhe Mykolaivin një qytet aty pranë, Rusia tha të martën se po vepronte në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit të 17 korrikut, si pasojë e të cilit u dëmtua një urë kyçe që lidh Rusinë me Krimenë.
Moska e përdorte urën për të furnizuar ushtrinë e saj në këtë gadishull. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, në një lëvizje që u shpall e paligjshme nga komuniteti ndërkombëtar.
Ndërkohë të mërkurën autoritetet e instaluara në Krimeve nga Rusia thanë se më shumë se 2,000 persona u evakuuan pas një zjarri që shpërtheu në një zonë që përdoret për stërvitje ushtarake në Kirovsky-v.
Zyrtarët nuk dhanë detaje rreth shkaqeve të zjarrit./voa/