Shtatë oligarkë rusë, shumica të përfshirë në industrinë e naftës dhe gazit, kanë vdekur së fundmi në rrethana misterioze.
Edhe pse zyrtarisht dyshohet për vetëvrasje, spekulimet janë të shumta për përfshirjen e Kremlinit.
Më 19 Prill, në Lloret de Mar të Katalunisë, policia spanjolle mori një telefonatë nga Fedor Protosenya, djali i një oligarku rus, familja e të cilit zotëron një vilë në atë zonë. Ai raportoi se kishte orë të tëra që përpiqej të telefononte nënën nga Franca, por askush nuk po i përgjigjej telefonatës së tij.
Kur policia arriti në pronën e familjes, ata hasën në trupat e pajetë të prindërve dhe të motrës së Protosenyas, raporton dw.
Policia fillimisht supozoi se babai i tij, milioneri Sergei Protosenya, kishte goditur me thikë dy gratë dhe më pas ishte varur në kopshtin e vilës – por nuk vonoi shumë që të shfaqen dyshime në lidhje me ngjarjen.
Një ditë më parë, policia në Moskë, rreth 3,000 kilometra larg qytetit bregdetar të Spanjës, gjithashtu bëri një zbulim të tmerrshëm.
Vladislav Avayev, një tjetër milioner si dhe gruaja e tij dhe vajza 13-vjeçare u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre luksoze. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi se Avayev kishte një pistoletë në dorë. Ai dyshohet nga autoritetet se ka qëlluar gruan dhe vajzën përpara se të vetëvritet.
Incidentet ndodhën brenda 24 orëve nga njëra-tjetra dhe rrjedhjet e ngjarjeve janë jashtëzakonisht të ngjashme. Për më tepër, Protosenya dhe Avayev ishin të dy oligarkë multimilionerë nga radhët më të larta të industrisë ruse.
Vdekja e tyre ishte e fundit në një seri vdekjesh misterioze të oligarkëve rusë – kryesisht nga sektori i energjisë – që kanë ndodhur në vitin 2022.
Në fund të janarit, një muaj përpara se trupat ruse të pushtonin Ukrainën, Leonid Schulman, një menaxher i nivelit të lartë në Gazprom, thuhet se kreu vetëvrasje.
Më pas, më 25 shkurt, Alexander Tyulyakov, një tjetër ish-menaxher në gjigantin e energjisë, u gjet i varur në shtëpinë e tij në Shën Petersburg.
Tre ditë më vonë, manjati i gazit dhe naftës, i lindur në Ukrainë, Mikhail Watford u gjet gjithashtu i varur në garazhin e pronës së tij në Surrey, Anglinë jugore.
Më 24 mars, miliarderi Vasily Melnikov, kreu i kompanisë gjigante të furnizimeve mjekësore MedStom, u gjet i vdekur së bashku me gruan e tij, Galina, dhe dy djemtë e tyre të vegjël në apartamentin e tyre miliona dollarësh në qytetin rus të Ninzhni Novgorodit. Detajet e vdekjes së tyre janë gjithashtu paralele me ato të Protosenyas dhe Avayevit.
Dhe, së fundi, është rasti i Andrei Krukovsky. 37-vjeçari ishte drejtor i vendpushimit të skive Krasnaya Polyana, që ndodhet afër Socchit. Presidenti rus Vladimir Putin thuhet se i ka ftuar vazhdimisht mysafirët e tij të bëjnë ski atje. Sipas gazetës ruse Kommersant, Krukovsky kishte dal për vrapim më 2 maj kur ra nga një shkëmb dhe vdiq.
‘Njerëz të lartë të lidhur me Kremlinin’?
Vdekja misterioze e shtatë rusëve super të pasur në vetëm tre muaj në rrethana kaq të tmerrshme ka hapur derën për të gjitha llojet e spekulimeve. Media të shumta kanë supozuar se vetëvrasjet mund të ishin falsifikuar. Disa prej tyre madje kanë shkuar aq larg sa sugjerojnë se Kremlini, apo edhe vetë Putini, mund të jetë i përfshirë në një farë mënyre në vrasjen e tyre.
Vitet e fundit ka pasur tentativa të shumta për vrasjen e kritikëve të Kremlinit. Në muajin gusht të vitit 2020, lideri i opozitës Alexei Navalny u helmua me një agjent nervor Novichok ndërsa ishte në aeroportin Tomsk.
Dy vjet më parë, Sergei Skripal, ish-kreu i agjencisë ruse të inteligjencës GRU, ishte helmuar në mënyrë të ngjashme.
Si Navalny ashtu edhe Skripal mbijetuan. Në vitin 2006, Alexander Litvinenko, një ish oficer i sigurisë ruse që kishte dezertuar në Britani të Madhe, u helmua për vdekje me polonium radioaktiv në Londër.
Në vitin 2017, gazeta amerikane USA Today publikoi rezultatet e një hetimi ku thuhej se të paktën 38 oligarkë kishin vdekur ose ishin zhdukur gjatë tre vjetëve të fundit.
Ajo që bie në sy në incidentet e vitit 2022 është se asnjë nga oligarkët e vdekur nuk e kanë kritikuar publikisht Putinin për pushtimin e Ukrainës. Në të njëjtën kohë, asnjë prej tyre nuk ishte në listat e sanksioneve ndërkombëtare që u hartuan pas pushtimit.
Nuk ka asnjë provë për të mbështetur këtë teori apo spekulim për përfshirjen e dhunshme nga një palë e tretë.
Dhe kështu, në rastin e Sergei Protosenya, policia spanjolle vazhdon të supozojë se vdekjet ishin vrasje-vetëvrasje. Megjithatë, Fedor Protosenya nuk beson se ky ishte rasti. “Babai im nuk është vrasës”, ka thënë ai për media të ndryshme britanike.
ShBA: Transferimi i pushtetit, çfarë pritet të ndodhë?
Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Lituani
Fitorja e Trumpit ndikoi edhe në çmimin e naftës
Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për dialogun Kosovë-Serb...
Serbia dëbon dy zviceranë, bënë me duar shqiponjën
“Foto e ditës”, Edi Rama shfaqet pranë liderëve të Turqisë, ...