Bernie Sanders, kandidati presidencial demokrat në SHBA, publikoi të hënën taksat për 10 vitet e fundit, duke dhënë detaje të statusit të tij në rritje si milioner. Të ardhurat e tij janë shtuar nga shitjet e librit të tij që kur humbi garën e vitit 2016 për president.
Sanders, është senator demokrat, i cili flet vazhdimisht kundër “milionerëve dhe miliarderëve”, që ai thotë se kanë manipuluar sistemin për të mbrojtur pasurinë dhe fuqinë e tyre.
Tani rezulton se në vitin 2018, të ardhurat e tij ishin 561,000 dollarë në 1,1 milion në vitin 2017 dhe 1 milion në 2016.
Përveç pagës si senator, Sanders mori honorare për librat e tij në secilin prej këtyre viteve, veçanërisht në vitin 2016 dhe 2017, kur ai mori më shumë se 800,000 dollarë si honorare. Sanders ka botuar tre libra që nga fillimi i garës së parë për në Shtëpinë së Bardhë. Më të shiturit janë libra “Revolucioni Ynë” dhe “Ku do të shkojmë prej këtej”.
Në vitin 2009, viti i parë i taksave që Sanders bën publike ai kishte një të ardhur prej rreth 315 mijë dollarësh.
Sanders gjikthmonë ka qenë përballë presionit për të publikuar taksat e tij. Kritikët e tij thonë se statusi i milionerit demokrat socialist e zhvlerëson mesazhin e tij populist.
Megjithatë, Sanders nuk kërkoi falje për mirëqenien e tij financiare. Ai i tha gazetës New York Times se “nëse shkruan një nga librat më të shitur, mund të jesh edhe milioner”.
Të hënën, Sanders foli me një ton më të matur. “Këto taksa tregojnë se familja jonë ka qenë me fat”, tha ai.
“Jam shumë mirënjohës për këtë, pasi u rrita në një familje që jetonte nga paga në pagë dhe e di stresin e pasigurisë ekonomike”, tha Sanders në një deklaratë që shoqëronte publikimin e taksave.
“Transparenca”
Interesi ndaj kandidatëve presidencialë demokratë dhe taksave të tyre është rritur që kur presidenti republikan Donald Trump ndryshoi traditën prej disa dekadash gjatë fushatës së vitit 2016 duke refuzuar të publikonte taksat e tij – një qëndrim që ai ka vazhduar ta mbajë që nga hyrja në Shtëpinë e Bardhë.
Javët e fundit, disa pretendentë demokratë, përfshirë senatorët Kirsten Gillibrand, Amy Klobuchar, Kamala Harris dhe Elizabeth Warren, kanë publikuar taksat e tyre.
Shumica e pretendentëve të tjerë demokratë kanë premtuar të bëjnë të njëjtën gjë së shpejti.
Por pyetja ishte bërë më e ngutshme për senatorin Sanders, i cili publikoi vetëm një vit të kthimit të taksave gjatë fushatës së tij të vitit 2016, pasi ai është në një pozitë të favorshme në sondazhe dhe grumbullimin e fondeve mes demokratëve që kërkojnë kandidaturën e partisë për të sfiduar Trumpin në vitin 2020.
Kthimet e taksave të lëshuara të hënën treguan se Sanders pagoi një taksë prej 26 përqind në të ardhurat bruto në vitin 2018.
Si pjesë e axhendës së tij, Sanders ka propozuar një shtim të taksave për të pasurit./VoA/
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...