Senatori Menendez kundërshton akuzat për korrupsion në favor të Katarit dhe Egjiptit

20:47 | 9 Janar 2024
D.H

Senatori Bob Menendez mori fjalën të martën gjatë seancës plenare në Senat për të deklaruar pafajësinë lidhur me akuzat se ka përdorur influencën e tij për të ndihmuar një sipërmarrës që të merrte një investim nga qeveria e Katarit, si dhe se veproi fshehurazi si lobist i paregjistruar për Egjiptin.

“Nuk e kam shkelur kurrë besimin e publikut. Kam qenë një patriot për (vendin tim) dhe i vendit tim”, tha në një fjalim emocional senatori demokrat, i cili është ndër anëtarët kryesorë të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Duke ngritur tre akuza… i mundësohet qeverisë ta mbajë gjallë në media këtë histori sensacionale, të ‘helmojë’ anëtarët e jurisë dhe të përpiqet të më gjykojë nëpërmjet gjyqit të opinionit publik”, tha ai.

Prokurorët paraqitën padinë në gjykatën federale të Manhatanit më 2 janar, duke e akuzuar Senatorin Menendez dhe bashkëshorten e tij Nadine se kanë marrë flori dhe bileta për të ndjekur një garë të Formula One, në këmbim të ndihmës ndaj sipërmarrësit Fred Daibes për të negociuar një investim prej disa miliona dollarësh për një projekt pronash të patundshme në Nju Xhersi.

Sipas akuzës, Senatori Menendez, i cili ka përfaqësuar Nju Xhersin në Senat që nga viti 2006, ia prezantoi zotin Daibes në qershor 2021 një anëtari të familjes mbretërore të Katarit, i cili drejton një kompani investimesh.

Zoti Menendez u vetëdeklarua i pafajshëm në tetor për përpjekjet për të vepruar si lobist i paregjistruar për qeverinë e Egjiptit dhe për pranimin e qindra mijëra dollarëve nga sipërmarrës nga Nju Xhersi, për të penguar hetimet që po iu bëheshin atyre nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Senatori përballet me akuza për konspiracion, përfshirë konspiracionin për rryshfet, mashtrim me shërbimet publike, zhvatje, si dhe për aktivitetin si lobist i një qeverie të huaj.

Ai ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe u ka rezistuar thirrjeve për dorëheqje, por sidoqoftë iu desh të largohej nga posti i kryetarit të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, pas njoftimit të akuzave në shtator.

Të ngjashme