Senati nuk do ta miratojë këtë vit marrëveshjen për Ukrainën dhe kufirin amerikan

22:49 | 19 Dhjetor 2023
KRG

Senati amerikan nuk do të votojë brenda këtij viti lidhur me një paketë ndihmash për Ukrainën si dhe fondet për shtimin e sigurisë së kufirit amerikan. Drejtuesit e lartë thanë se negociatorët demokratë dhe republikanë po vazhdojnë punën me synimin që masat të miratohen në fillim të vitit të ardhshëm.

“Negociatorët tanë do të punojnë me shumë zell gjatë periudhës së pushimeve të dhjetorit dhe janarit, dhe qëllimi ynë është që të bëjmë diçka sapo të kthehemi”, tha për shtypin udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Republikani John Thune, tha gjithashtu se një marrëveshje nuk do të arrihet përpara janarit.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se ndihmat e miratuara më parë për Ukrainën do të përfundojnë deri në fund të dhjetorit. Kërkesa e administratës së Presidentit Biden për 61 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën është bllokuar në Kongres, pasi republikanët kërkojnë që Uashingtoni të forcojë masat e kontrollit përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Paketa e ndihmave për Izraelin, një tjetër element i paketës, është një çështje më pak e ndërlikuar.

Imigracioni është një nga çështjet më të debatuara në politikën amerikane dhe përpjekjet për reforma dypartiake kanë dështuar vazhdimisht gjatë 20 viteve të fundit.

“Nuk mund të them se sa komplekse është kjo çështje. Është fusha më e ndërlikuar e ligjit amerikan”, tha Senatorja e pavarur Kyrsten Sinema, e cila është përfshirë në bisedime.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u përball me një pritje skeptike nga republikanët gjatë vizitës së tij në Uashingtonin javën e kaluar për të siguruar më shumë mbështetje.

Nuk është e qartë se një marrëveshje e arritur në Senatin me shumicë demokrate do të gëzojë mbështetje në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, ku një numër i konsiderueshëm ligjëvënësish të vijës së ashpër e kundërshtojnë miratimin e fondeve shtesë për Ukrainën./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme