Senati kërkon shpjegime mbi konfiskimin e të dhënave të ligjvënësve gjatë administratës Trump

10:14 | 12 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Udhëheqësit demokratë të Senatit kërkuan që ish-Prokurorët e Përgjithshëm Bill Barr dhe Jeff Session, të cilët kanë shërbyer gjatë administratës Trump, të dëshmojnë në lidhje me konfiskimin e të dhënave të disa ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2018. Ata e quajtën marrjen fshehurazi të të dhënave diçka “tronditëse” dhe “abuzim të rëndë me pushtetin”.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe senatori Dick Durbin thanë në një deklaratë të premten se zoti Barr dhe zoti Sessions “duhet të dëshmojnë para komisionit Juridik të Senatit” dhe se nëse refuzojnë do të thirren të paraqiten me detyrim para tij.

Ky zhvillim vjen pasi ligjvënësit demokratë Adam Schiff dhe Eric Swalwell morën njoftimin se Departamenti i Drejtësisë gjatë administratës Trump kishte marrë nga Apple tre vjet më parë të dhëna të tyre. Kjo ishte pjesë e një goditjeje agresive ndaj rrjedhjes së informacionit në lidhje me hetimet mbi Rusinë dhe çështje të tjera të sigurisë kombëtare.

Ligjvënësit Schiff dhe Swalwell ishin aso kohe anëtarë të komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve ndërsa aktualisht zoti Schiff është kryetar i këtij komisioni.

Departamenti i Drejtësisë kryen rregullisht hetime rreth informacioneve që rrjedhin në mënyrë sekrete, përfshirë ato të klasifikuara, por hapja e një hetimi të tillë ndaj anëtarëve të Kongresit është jashtëzakonisht e rrallë. Gjetjet tregojnë se një degë e qeverisë ka përdorur kompetencat e saj të hetimit dhe ndjekjes penale, për të spiunuar një tjetër.

Zoti Schiff tha se konfiskimet sugjerojnë “keqpërdorim të ligjit nga një president i korruptuar”, sikurse tha ai.

Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës Trump i kërkuan zyrtarisht kompanisë Apple që t’u jepte të dhënat, sipas një zyrtari të komisionit të zbulimit si dhe dy personave të tjerë në dijeni mbi çështjen që nuk u identifikuan. Apple ka dhënë informacione për të paktën 12 persona të lidhur me komisionin e Zbulimit.

Kompania Apple informoi komisionin muajin e kaluar se kishte ndarë të dhëna dhe se hetimi ishte mbyllur, por nuk dha detaje të tjera. Sipas një zyrtari të komisionit ishin sekuestruan të dhënat e ndihmësve, ish-ndihmësve të komisionit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, njëri prej të cilëve në moshë të mitur.

Departamenti i Drejtësisë siguroi të dhëna, mbi thirrje telefonike, apo vendndodhjen, por jo foto, mesazhe apo emaile, sipas njërit prej personave në dijeni të çështjes. Një tjetër zyrtar tha se veprimet e kompanisë Apple ishte në përputhje me kërkesën zyrtare të Departamentit të Drejtësisë dhe se nuk i kishte njoftuar menjëherë anëtarët e Kongresit apo të komisionit rreth informacioneve që kishte dhënë.

Lajmi rreth konfiskimit në mënyrë sekrete të të dhënave u publikua fillimit nga gazeta The New York Times.

Përpjekja e administratës Trump për të siguruar fshehtësisht qasje tek të dhënat vjen ndërsa ish-Presidenti aso kohe i shfaqte hapur dhe privatisht kritikat e tij ndaj hetimeve që po zhvillonte në atë periudhë Kongresi dhe ish-Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së tij me Rusinë.

Zoti Trump e ka quajtur hetimin “gjueti shtrigash” dhe ka kritikuar rregullisht në atë periudhë në postimet e tij në Twitter demokratët dhe zotin Mueller ndërsa në mënyrë të përsëritur hidhte poshtë si “lajme të rreme” informacionet e rrjedhura të cilat i vlerësonte si të dëmshme për axhendën e tij.

Aso kohe ligjvënësit Schiff dhe Swalwell ishin dy nga demokratët më të zëshëm në komisionin e udhëhequr nga republikanët, ndërsa zhvilloheshin hetimet mbi Rusinë.

Në një deklaratë të enjten vonë zoti Schiff, bëri thirrje për një hetim nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë mbi këtë çështje.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha në një deklaratë se sekuestrimi i të dhënave “duket të jenë një sulm skandaloz ndaj demokracisë sonë kryer nga ish-presidenti”, siç tha ajo.

“Lajmi në lidhje me politizimin e Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës Trump është tronditës”, shtoi ajo.

Zyrtari i komisionit që foli në kushte anonimiteti tha se po vazhdohet të kërkohet informacion shtesë, por Departamenti i Drejtësisë nuk ka qenë i hapur mbi pyetjen nëse hetimi ishte bërë siç duhet dhe nëse ishte i përqendruar vetëm tek demokratët.

Mbetet e paqartë se pse Departamenti i Drejtësisë gjatë administratës Trump kishte patur si objektiv të hetimit edhe një të mitur. Zoti Swalwell, i cili konfirmoi se ishte njoftuar se të dhënat e tij ishin sekuestruar, i tha rrjetit televiziv CNN të enjten në mbrëmje se ai ishte në dijeni se një i mitur ishte i përfshirë në hetime dhe se besonte se personi ishte “shënjestruar për arsye ndëshkimi e jo ligjore”.

Të premten po për kanalin CNN zoti Swalwell tha se “nuk do të habitej” nëse do të mësonte se departamenti kishte hetuar gjithashtu edhe persona të tjerë. Ai tha se një hetim i brendshëm i Departamentit të Drejtësisë mund ta zbulojë këtë gjë. Sipas një personi të katërt në dijeni të hetimit e që foli në kushte anonimiteti, Komisioni i Senatit për Zbulimin nuk kishte qenë pjesë e hetimeve.

Zbulimet e fundit pasojnë publikimet në media se Departamenti i Drejtësisë kishte marrë fshehurazi të dhënat telefonike që u përkisnin gazetarëve të The New York Times, The Washington Post si dhe rrjetit televiziv CNN si pjesë e hetimeve mbi rrjedhje të informacioneve sekrete. Pas një thirrjeje nga organizatat që mbrojnë lirinë e shtypit, Departamenti i Drejtësisë njoftoi javën e kaluar se do të ndalë praktikën e sekuestrimit të informacioneve që disponojnë gazetarët./VOA/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme