Kryetarja e Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme të Senatit Amerikan, senatorja Jeanne Shaheen, me mbështetjen e kolegëve të saj nga të dyja partitë politike, propozoi edhe një herë “Projektligjin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në mbledhjen e fundit të Senatit.
Me mbështetjen e senatorëve Roger Wicker, Ben Cardin, Dick Durbin dhe Chris Van Hollen, propozimi i senatores demokrate është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe bashkëpunimi i tyre me SHBA-të në fushën e sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë kibernetike, duke pasur parasysh “përpjekjet e dëmshme të Iranit dhe Rusisë për t’i bërë vendet e rajonit objektivin e tyre”.
Sipas një deklarate nga faqja e internetit e senatores Shaheen, ligji mbështet “stabilitetin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, përmes iniciativave në infrastrukturë, tregti dhe antikorrupsion, duke përfshirë formalizimin ligjor të sanksioneve, me qëllim që të pengohen aktorët që udhëheqin aktivitete destabilizuese”.
Ligji hyri sërish në procedurën e Senatit të enjten, pak para seancës dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme për Ballkanin Perëndimor.
Pothuajse i njëjti grup senatorësh e propozoi Ligjin në mbledhjen e fundit të Senatit, por nuk u miratua.
“Ruajtja e paqes dhe forcimi i demokracisë në Ballkan është me rëndësi kyçe për sigurinë dhe stabilitetin evropian, veçanërisht në kohën kur lufta e paprovokuar e Putinit në Ukrainë vazhdon”, tha Shaheen.
“Ligji im dypartiak do të forcojë tregtinë dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit Perëndimor, do të zhdukë korrupsionin, do të kodifikojë sanksionet kundër aktorëve destabilizues dhe do të dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partnerëve tanë në rajon”, tha senatorja demokrate.
“Ballkani është shtëpia e një trashëgimie kulturore të larmishme dhe rëndësia e tij gjeopolitike vazhdon të rritet”, tha senatori republikan Roger Wicker.
Wicker shtoi se “pushtimi brutal rus i Ukrainës nënvizon rëndësinë e partneriteteve tona ballkanike”.
“Miratimi i këtij projektligji do të shërbente si një deklaratë e qartë, dypartiake e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të forcuar partneritetet tona diplomatike në rajon”, tha ai.
Ligji parashikon krijimin e një nisme rajonale për konkurrencën tregtare dhe ekonomike, kodifikimin e dy udhëzimeve ekzistuese ekzekutive për vendosjen e sanksioneve për korrupsionin dhe kërcënimet ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, projektligji synon nisjen e një iniciative për luftimin e korrupsionit, e cila do ta drejtonte Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për t’i ofruar asistencë teknike të gjitha vendeve në zhvillimin e strategjive kombëtare për të luftuar korrupsionin./rel/
Këmbësori goditet nga vetura te Bill Clintoni në Prishtinë
KOSTT: Rikthehet furnizimi me rrymë në Gjilan
Rriten rastet e norovirusit në ShBA
Haradinaj e çon Specialen në Gjykatën e Strasburgut
Ronaldo këshillon lojtarët e Man Cityt se si ta tejkalojnë k...
Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Rekë-Vatë të Komunës ...