Sekretarja amerikane e Thesarit: Përparim në bisedimet për çmimet e naftës ruse

20:00 | 16 Korrik 2022
Fjolla Bajraktari

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se ministrat e Financave të Grupit 20 kanë zhvilluar bisedime produktive në Indonezi lidhur me një propozim për të vendosur marzhë për çmimet për shtetet që do të paguanin për naftën ruse.

Megjithatë, samiti i ministrave të Financës të G20-s përfundoi më 16 korrik pa një deklaratë përfundimtare, pasi dallimet se si duhet përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës nuk gjetën unanimitet brenda grupit.

Në vend të komunikatës formale, Indonezia do të lëshojë një deklaratë prej 14 paragrafësh, tha ministrja e Financave të Indonezisë, Sri Mulyani Indrawati, e cila ishte nikoqire formale e takimit.

Ajo tha se ka pasur konsensus për shumicën e dokumentit, por dy paragrafë do të përqendrohet në dallimet e anëtarëve sa i përket ndikimit të luftës dhe hapat që duhen ndërmarrë.

Ndërkaq, sekretarja Yellen tha se ka pasur përparim për një marzhë të mundshme të çmimeve të naftës ruse.

“Për kostot e energjisë, kam pasur takime bilaterale produktive me gjysmën e homologëve të mi, me të cilët kam biseduar për tavanin e çmimit dhe se si ne mund të ndihmojmë që të arrijmë qëllimet tona për të parandaluar që presidenti rus, Vladimir Putin, të fitojë të ardhura për makinerinë e tij të luftës, duke ulur kostot e energjisë”, u tha Yellen gazetarëve.

Një tavan i çmimeve “do të ishte një prej mjeteve tona më të forta për të adresuar çmimet e larta me të cilat po përballen amerikanët dhe qytetarët në mbarë botën”, tha ajo.

Zëvendësministri rus i Financave, Timur Maksimov, mori pjesë në bisedime. Një javë më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u largua nga takimi i G20-s për shkak të kritikave të Perëndimit për pushtimin e Ukrainës.

Maksimov ka qenë i pranishëm në takim kur zyrtarët perëndimorë kanë dënuar pushtimin rus, tha një burim për AFP-në.

Ministri i Financave të Ukrainës, Serhiy Marchenko, ka marrë pjesë përmes video-lidhjes në takimin e G20-s./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme