Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i dha fund të shtunën dy ditë bisedimesh me zyrtarët në Korenë e Veriut. Ai tha se kishin patur “për shumë orë bisedime të frytshme” dhe “përparim mbi thuajse të gjitha çështjet thelbësore”.
Kryediplomati amerikan nuk dha hollësi, por tha se bisedimet ishin përqëndruar kryesisht tek koha e nevojshme për çnuklearizimin e Koresë së Veriut dhe një deklaratë bazë për armët e shkatërrimit në masë që disponon vendi.
Por Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha se diskutimet me Sekretarin Pompeo kishin qenë për të ardhur keq dhe e akuzoi Uashingtonin se ishte përpjekur ta detyronte me forcë Phenianin që të heqë dorë në mënyrë të njëanshme nga programi bërthamor. Kjo deklaratë e Koresë së Veriut erdhi vetëm disa orë pas largimit të sekretarit Pompeo.
Sekretari Pompeo, i cili pas përfundimit të vizitës në Korenë e Veriut shkoi në Tokio, tha se “është caktuar një takim për më 12 korrik”, por që kjo datë mund të ndryshojë. Ai tha se në takimin e ardhshëm me udhëheqësit koreanoveriorë do të bisedohet për kthimin në atdhe të eshtrave të amerikanëve që humbën jetën në Luftën Koreane.
Zoti Pompeo nuk u takua këtë herë me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se nuk pritej të zhvillohej një takim i tillë.
Para takimeve të së shtunës me zyrtarë të lartë koreanoveriorë zoti Pompeo bisedoi në telefon me Presidentin Trump.
Kjo ishte vizita e tretë e Sekretarit Pompeo në Korenë e Veriut dhe e para herë që ai qëndroi atje gjatë natës. Kjo ishte gjithashtu vizita e parë e tij pas takimit të Presidentit Trump me udhëheqësin koreanoverior Kim, në Singapor.
Presidenti Trump e ka ngarkuar Sekretarin e Shtetit të mbikqyrë se si po e zbaton Kim Jong Uni premtimin për çnuklearizimin e Gadishullit Korean.
Zëdhënësja Nauert tha të shtunën se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Veriut kanë krijuar grupe pune për trajtimin e çështjeve që lidhen me përpjekjet e çnuklearizimit.
Ajo tha se Sekretari Pompeo ishte treguar “shumë i prerë” në bisedime, gjatë të cilave ai kishte kërkuar plotësimin e tre çështjeve kryesore: çnuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut, garanci për sigurimin e këtij procesi dhe kthimin në atdhe të eshtrave të amerikanëve që vdiqën në Luftën Koreane.
Vizita e kësaj radhe zotit Pompeo në Korenë e Veriut ndodhi mes njoftimeve të zbulimit amerikan se Kim Jong Un është duke vazhduar të zhvillojë infrastrukturën për programin e tij të armëve bërthamore. Ditët e fundit mediat amerikane kanë publikuar fotografi, për të cilat thuhet se tregojnë për zgjerimin e objekteve që lidhen me programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Të enjten Presidenti Trump tha se ai vazhdon të besojë se Kim do ta mbajë premtimin e tij, duke shtuar se ai kishte krijuar një lidhje personale me udhëheqësin koreanoveior.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i zotit Trump, John Bolton, thotë se Koreja e Veriut mund t’i japë fund arsenalit bërthamor brenda një viti, por zyrtarë të tjerë amerikanë shpresojnë që kjo të realizohet deri në janar të vitit 2021, që përkon me fundin e mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump./VoA/
Gresa e imiton Rovenën
Panik në kullën Eifel, zjarr në ashensor
Gucati: U njoftova nga Specialja se e kam përfunduar dënimin...
Anija ruse Ursa Major fundoset në Detin Mesdhe
Gjesti e këshillon Xhenetën: Mos merr ndonjë vendim që do të...
Hamza prezanton programin: Është koha për një qeveri që dëgj...